Qenia Shqiptare në mendimin politiko-filozofik të Patër Anton Harapit. Pjesa I

Ndër françeskanë, kurora e artë e veprimtarisë atdhetare përbehej nga dyshja Gjergj Fishta dhe Anton Harapi.  Anton Harapi ka qenë një nga ato intelektualët e shquar të historisë sonë, të cilat janë lënë jashtë rimarrjes dhe rishqyrtimit për arsye të dobëta. Se pse, do e tregojmë këtu, por në të njejtën kohë i detyrohemi lexuesit që paraprakisht të shpjegojmë arsyet pse kemi zgjedhur të trajtojmë këtë autor dhe pse sot.

Françeskanët kanë qenë ndër më të zjarrtët për çështjen kombëtare. Vepruan më së miri e më së shumti në një kohë tepër delikate për Shqipërinë. Bëhet fjalë për vitet e tranzicionit të parë shqiptar. Nga 1918a deri në 1939n. Arsyet pse këto vite i cilësojmë si tranzicionale, janë të shumta, por kryesorja është se luftohej për ide. Për ide kombëtare, dhe sidomos për ti bërë ballë tipareve negative të modernitetit. Duhej kapërcyer mbijetesa e brendshme e shqiptarisë, nën robëri, e duhej hapur horizonti i ri i jetës së brendshme. Shtypi Shqiptar asokohe sa kishte filluar të zhvillohej në masë, dhe lëvizjet intelektuale nuk ishin të shumta. Spikatën neo-shqiptarët, një varg mendimtarësh me në krye Branko Merxhanin, Ismet Toton dhe Vangjel Koçen, bashkë me ta edhe Françeskanët. Edhe pse këto dy grupe me pikëpamjet e tyre të veçanta ca herë nuk gjenin terren të përbashkët e madje dhe polemizonin, mospajtimi së paku me shumicën e neo-shqiptarëve, nuk degjeneroi në armiqësi të hapur.

Edhe pse studiuesi Ndriçim Kulla e ka konsideruar Anton Harapin si pjesë të neo-shqiptarizmës, unë mendoj se duke shqyrtuar më nga afër idetë e tij krahasuar me ato të Branko Merxhanit, mund të arrijmë në konkluzione të ndryshme. Të dy këta autorë gjithsesi u përpoqën ti lehtësonin të metat e modernitetit e të ndihmonin shtetin tonë foshnjë, të ngrihej me dy këmbët e veta e të ecte drejt një qëllimi të caktuar. Në këtë artikull, i referohem librit “Naltimi i ndërgjegjes kombtare”, një përmbledhje e publicistikës së Anton Harapit ndër vite.

Problemet e trajtuara në këtë përmbledhje, nëmos aktuale, ngjasojnë shumë me problemet e sotme. Mendoj se kjo vjen nga lënia pezull e tranzicionit të parë, komunizmi dhe trupat e tij pa shpirt nuk e lejuan jetën tonë të brendshme, dhe tashmë që jemi gati 30 vjet pas rënies së sistemit, tranzicioni i dytë, leukoplasti mbi plagën e robërisë komuniste, akoma nuk po na përmbush me jetë të brendshme. Kjo është dhe arsyeja pse problemet e vjetra dhe plagët e pashëruara po hapen përsëri, nuk mjafton të bëjmë sikur nuk janë aty, por duhet ti rrahim mirë, derisa tu gjejmë zgjidhje.

Para se ndokush të na akuzojë për anakronizëm e mendje të mbyllur, duam të qartësojmë se një mendje e mbrujtur në fe dhe në filozofi jo shekullare, si ajo e Anton Harapit, zotëron aftësi më të forta për të gjykuar modernitetin mbarë e mirë, jo për ta dënuar dhe mohuar, pasi fundja si mund të mohosh një epokë të tërë? Sikundër mendimtarët myslimanë atdhetarë arritën ti peshonin mirë, erërat e reja, po ashtu dhe të krishterët nuk ngelën mbrapa aspak.

A mund të pajtohet feja me kombin? Kësaj pyetjeje të vështirë nuk do nxitojmë ti përgjigjemi duke u nisur nga vlerësime sipërfaqësore. Me të vërtetë morëm një fe tjetër prej robërisë, por edhe kësaj feje nuk i vëmë faj që u përzje me një dinasti gjakatare si ajo e osmanëve. Paralelisht, mos do ishte dashur të urrenim Tengrizmin sot? Nëse osmanët do të ishin Tengristë, medoemos do të donin ta përcillnin këndej me po të njejtën këmbengulje sa bënë me islamin. Çfarë urrejmë më shumë, çizmen e pushtuesit apo aksh libër të shenjtë? Kjo është pyetja më me vlerë e që do duhet të trajtohet diku tjetër me shumë imtësi.

Mënyra si Patër Antoni e trajtonte, ishte ajo e atdhetarit. Shqiptari nuk duhej lënë pa shpirt sipas tij, e prapësëprapë arsyeja nuk i duhej dobësuar, pasi feja nuk është dogmë, por dera e lartuar, që çelet nga një arsye jo kryeneçe, shtuar asaj që me të drejtë është e jona, përkatësisë etnike.

Tek Rrfana e Jetës Shqyptare, Harapi shprehet pesimist për këtë arsye të munguar ndër bashkëkombas.

“Mirë se shqyptari âsht fetár, por besimi i tij, thue se âsht nji trajtues mendje e vullnese, nji faktuer i jetës vehtjake e shoqnore, nji shtys per kulturë e gjytetnim? Per me pasë besimi të gjitha këto vetí, do të jetë një shërbim a nenshtrim i arsyeshem i nierit ndaj Zotin, per ndryshe, në vend me i kenë nierit ndimë e qanderr, i âsht barrë e pengim; në vend me e naltue nder ideare mâ fisnike e mâ të dêja, nuk e len me çue kryet prej errsije per me pa të verteten, të marën e të miren e vet e me iu qasë lumnís.

Njata, shka e shtyn shqyptarin me besue, pergjithsisht nuk âsht të mbushunt e mendes d.m.th arsyeja, por aj zakonisht e mban besimin e vet: a)pse i a kan lan të parët (tradicjonalizem), b) pse don se don me u mbajtë me njatë çetë nierzsh e nder njato doke, megjithse arsyeja i thotë të kunderten (partizanizem), c) pse tue i pasë kenë bâ mendja kubure per at besimin e vet, arsye pa arsye, don t’i dalë e vetja në faqe ( fanatizem), ç) a pse ashtû i a levertisë e i bjen per shtat (utilitarizem, servilizem)

Besimi i tij, per shkak të padijes, endet kryekreje per rreth do sjelljeve të pa veshtrim e materiale, e permbahet, jo me parime por nder disa vepra konkrete, prandej edhe besimi i shqyptarit degeneron: a) nder bestytni (supersticjon) d.m.th i kujton të rrjedhne a të perftueme prej parimi fetár disa punë qi s’kan çë të bajn me besim, b) ne synkretizim d.m.th mban per të verteta parime të kunderta, c) në materializem d.m.th idearin e besimit e mban brenda caqeve të vogla të të mirave të landta e konkrete, e kshtû besimi i tij mbaron, ç) në sensualizem d.m.th nder ande trupnore.

Posë të gjithave mandej, âsht d) fatalizmi i mbajtun per systeme (fati, exheli); mbas këtij parimi besohet, se të gjitha punët e jetës së nierit, pra edhe gëzimi e lumnija, mjerimi e kundershtimet janë perftimi i njij caktimi të domosdoshem, kështû qi nieri, me gjith se ká met në krye e vullnesen e lirë, s’ka hat me e ndrrue a me e permirsue fatin e nafaken e vet, por gjith herë, nder të tana rasat e jetës âsht preja e njasajë fuqí të panjohtne, qi thirret fat a exhel. Dér sa besimi i shqyptari të mbahet mbrenda këtyne ideve të thata e të pakrypë, nuk ka se si me kenë nji faktuer jete as per vehtje të veçanta as per komb.”

Në fakt këto janë fjalë disi të rënda për tu lexuar. Na lypet ti mohojmë me shpirt kur i lexojmë, por edhe nuk mund ta mbysim atë që na ngacmon si gjemb nëpër këmbë. Më themelorja për Anton Harapin ishte ndreqja e kësaj mynxyre, që më vonë të mos na përndiqte si fantazmë.

Bindjen ndaj zotit e konsideronte si themelore në ruajtjen e shqiptarizmës, pa këtë element, thoshte, Shqiptari e humb besën, e po humbi besën, i ka humbur të gjitha cilësitë vetjake për të jetuar mes bashkëkombasve. Ligji i ri do zëvëndësonte të vjetrin por vetëm në formën e një formule të thatë në letër që më pas nuk do kërkonte vendosmërinë e shqiptarit kanunor për tu zbatuar, por modën e kërbaçit. Sesa shteti modern varet fort nga kërbaçi institucional, këtë e kemi venë re, megjithatë, Shqiptari duhet të përvetësojë njëherë ligjin, dhe më pas mund të flitet për kërbaç.

Pra duhet krijuar një kulturë e ligjit të përvetësuar, vetëm kështu Shqiptari nuk do të dojë ti kthejë sytë nga tirani dhe nga despoti për tu ndjerë i sigurt, dhe vetëm kështu nuk do të biem në format më të degraduara të despotizmit lindor ku njeriu i mjerë kërkon e respekton vetëm grushtin e hekurt dhe shpatën mbi krye.

Në vlerësimet e tij mbi burrin dhe gruan shqiptare, Anton Harapi me të drejtë konsideron burrërinë si zotërimin e vetvetes dhe jo plasjen e pushkës. Burri është ai që di të sundojë veten e tij e të jepet për familje dhe shoqëri. Pushka plas për nder, e jo për kafshëri, prandaj e burrëria duhet të jetë virtyti më parësor individual dhe shoqëror. Pa burrëri degjenerojmë në shpërfaqje mizore kafshërish nga më të ndryshmet, familja nuk funksionon, e përtej saj as shteti e kombi.

Në interpretimin tonë të sotëm, nuk jemi akoma vonë për ta ngritur dhe njëherë çështjen e burrërise, e për ta bërë edhe program kombëtar siç do donte autori.

Sa për gruan, Harapi është ndër të paktët autorë të atyre kohëve që drejtësisht foli për situatën mjerane të grave. E përshkruante si fatkeqësi të robërisë katërqindvjeçare, që gruaja shitej e blihej, që familja nuk ia duke kombinuar si anën femërore, dhe atë mashkullore. Por siç flitej për emancipimin e saj, gjithashtu nuk mendohej që gruaja të kalonte caqet e të dilte nga natyra e saj, sikurse burri bëhej kafshë, nuk është e arsyeshme që gruaja të lërë detyrat familjare dhe ato shoqërore.

Në kontekstin e sotëm nuk mund të flitet për “caqe”, nuk e dimë mirë a kemi kapërcyer caqet apo nëse i kemi hedhur tutje. Sidoqoftë, situata edhe në këtë pikë lë për të dëshiruar, por nëse burri dhe gruaja e sotme kanë harruar natyrën e tyre, problemi nuk rregullohet duke u nisur nga mospëlqimi i njërës anë ndaj tjetrës dhe anasjelltas. Gjysma e kombit është burrë, dhe gjysma tjetër është grua. Sesa përtej rrafshit biologjik këto dy gjysma i korrespondojnë natyrës së tyre përkatëse, kjo mbetet për tu diskutuar.