O milet, dëgjoni e mbani vesh e mos thoni se nuk dëgjuat pastaj. Kështu po e nisim për hir të autentikes së munguar.
Deri tani përmendëm ndërlikimet kryesore që regjimi i së thënës na imponon. Disidentë ska, Katedralja prodhon opozitën, opozita ushqen Katedralen. Në rast se Katedralja do ishte vetë demokracia, njerëzit do kishin të drejtë të na akuzonin për tendenca diktatoriale. Por, si më parë, Moldbug na ndihmon, e kjo prapashtesë e vogël e problemit së disidencës në botën postmoderne, ka për qëllim të shqyrtojë mekanizmin e kundër-kulturës. Katedralja përforcon vetveten. Përfytyroni një qark elektrik të mbyllur. Ky është edhe moçali që na ka kapur fort e nuk na lëshon.
Në skenarin komunist pra, disidentët i japin jetë kundër-kulturës. Nuk janë revolucionarë. Janë mospajtimtarë aktivë. Në skenarin demokratik, kundër-kultura duke mos pasur nevojë për disidencë, mbyll qarkun duke u rikthyer në zanafillë. Përfytyrojeni kështu: Kultura dhe Kundër-kultura janë të dy anët e së njejtës monedhë. Prandaj normalisht që në teori kundër-kultura na shfaqet si bartëse e revolucionit apo e ndryshimit radikal, por në praktikë rezultati është gjithnjë kundër-produktiv. Në të shumtën e rasteve aktorët pjesëmarrës janë të vetëdijshëm për anën kundër-produktive, por nuk bëjnë zë për shkak se vitrina mund tu shembet mbi kokë.
Moldbug na thotë se këta aktorë, imitojnë kundërshtarët e tyre duke preferuar të anasjelltat e metodave zyrtare. Këta disidentë vitrinash, përdorin pasqyrë konkave. Ka një skenë të bukur në filmin The Matrix. Personazhit kryesor, Neos, i paraqitet një lugë, përkulja e së cilës me fuqinë e mendjes do të shpaloste aftësitë e tij për të kuptuar kurthin e gjithështrirë, Matrix-in. Kjo përkulje e lugës do simbolizonte gjithashtu, mospranimin aktiv të imponimeve të Matrix-it. Këta tonët, jo vetëm që nuk duan ta përkulin lugën, por e mbajnë sa më larg nga vetja, duke i ngopur sytë me reflektimin kokëposhtë, e duke e shtrënguar fort atë, nga e cila hanë në ca raste.
Gjithsesi, arsyeja pse e konsiderojmë modelin Moldbug të vlefshëm , është se pakashumë Shqipëria ka huazuar më së miri modelin amerikan zgjedhor. Dy parti konkurruese dhe ndonjë parti e tretë. Duhej ndryshuar paksa ky model, për tiu përshtatur rrethanave tona, por, rrugëtimet mbeten të njejta. Nga Spanja deri në Kinë, njerëzit vjedhin njëlloj, mashtrojnë njëlloj. Pra, le të paraqesim dikotominë Parti e jashtme-Parti e brendshme.
Moldbug thotë:
Funksioni i Partisë së Brendshme është që të delegojë të gjitha politikat dhe vendimet tek Katedralja [sistemi universitar dhe mediat kryesore]. Funksioni i Partisë së Jashtme është të kundërshtojë Partinë e Brendshme, ndërkohë që në të vërtetë nuk paraqet asnjë rrezik për të. Ndonjëherë funksionarët e Partisë së Jashtme zgjidhen, dhe madje mund të arrijnë të ndjekin disa nga politikat e tyre deviante. I gjithë poligoni [struktura e pushtetit e ndërtuar rreth qeverisë] bashkohet për të siguruar që këto politika të dështojnë ose të perceptohen nga publiku si të dështuara. Meqenëse shtypi zyrtar është pjesë e poligonit dhe hyn në trurin e gjithkujt, kjo nuk është e vështirë.
Makineria nuk ka përparuar aq shumë tek ne prandaj na duhet një raport i ri marrëdhëniesh mes partisë së jashtme dhe asaj së brendshmes. Partitë e klasës politike shqiptare akoma funksionojnë rreth një ekosistemi përmbysjesh administratash dhe zëvëndësimi klanor. Jashtësia e partive tona në këtë kontekst reflektohet tek informaliteti i dhjakëve të Katedrales. Këta presin pushtetin e ardhshëm teksa hanë edhe ndonjë copë byrek nga pushteti i partisë së brendshme. Kurse partia e brendshme është ajo që mbipërfaqësohet në administratë sipas modelit klanor. Gjithashtu ajo ia delegon vendimet Katedrales. Në rastin Shqiptar, më së miri, Partia e Jashtme nuk përbën asnjë rrezik për të brendshmen, kini parasysh përplasjet PD-PS. Partia e tretë pastaj merr rolin e lavjerrësit.
Në rast se Partia e Jashtme do të merrte pushtetin, Katedralja nuk do cekej aspak. Thjesht Partisë së Jashtme do i jepej mundësia për të mbushur karriget për nja ca vjet, e për të nënshkruar ndonjë plan afatshkurtër.
Kjo na lë me një panoramë të zymtë të politikës. Ne të tjerët pastaj, jemi jashtë kësaj strukture, pra si mund ta “ndryshojmë” situatën? Ehhh, duhet të bëhemi disidentë, të sakrifikojmë gjithçka etj.
Si të bëhemi kundër-kulturë e kulturës, kjo është çështja. Moldbug na jep tre strategjitë më të përdorura e të përhapura. Përkatësisht: Dhuna, Gramshianizmi, Fabianizmi.
Ne Shqiptarët vdesim për njëçik trimëri. Trimëri momentale dhe martirologji të shpejtë. Ndonjë kallash në një krah, një molotov në dorë, e pak mosbindje civile. Kjo është ëndrra e çdo revolucionari apo edhe e ndonjë peshku të madh. Problemi është se kush ka pak mend, e kupton që një 97ë tjetër i jep goditjen e fundit shtetit tonë të mjerë. Një revolucion i armatosur në Shqipëri, medoemos do ndjekë logjikën e margjinës së gabimit të një shteti. Shteti jonë i vogël ka një margjinë gabimi mikroskopike. Mjafton një gafë ose një Gërdec në masë, për ta bërë Shqipërinë shënjestër të ambicieve të shteteve të tjera. Në këto situata më shumë përfitojnë peshqit e mëdhenj të cilët nxitohen të ngrenë kështjellat e tyre dhe të demarkojnë territoret. Revolucionari është kriminel në kuptimin e plotë të fjalës. Moralizmat e revolucionarit nuk kanë përmbajtje tjetër veçse mohimin e vetes, për të ngritur pastaj një vitrinë të përjetshme, dhe të diskutueshme. Krimi i revolucionarit nuk është se vret prospektin e sundimtarit. Në Shqipëri, një revolucionar vret vendin. Por Katekizmi i tij e injoron të ardhmen. Ekziston vetëm revolucioni dhe asgjë tjetër. Këtu bëhet fjalë si për revolucionet masive, ashtu dhe për tipat “lone wolf” që ia plasin në ajër më ndonjë vepër të madhe alla Ridvan Zykaj. Këta janë edhe më të rrezikshmit. Në vend që ti vënë gishtin kokës, e të kuptojnë se këto akte jo vetëm që e mbysin përparimin e çdo lloj perspektive alternative, nxitojnë ti vënë zjarrin ngrehinës shpejt e shpejt. Mohimi i vetes për hir të egos u duhet medoemos “tani”. Më vonë mund të gjejnë ndonjë qëllim tjetër në jetë e dëshira mund tu ikë papritmas. Këtyre tipave u këshillojmë të gjejnë ndërtesën më të lartë në Shqipëri e të fluturojnë nëse e duan fundin kaq fort. Katedralja nuk do u jetë mirënjohëse, por popullata, sigurisht që po.
Gramshianizmi është më i butë. Është vegla e preferuar e intelektulalave. Moldbug e ka zgjedhur me kujdes këtë term. Antonio Gramsci ka qenë një komunist italian, i burgosur nga fashistët, i cili hodhi disa teori në letër, më e spikatura është se popullata duhet “edukuar” përpara se të bëhet dru për zjarr. Pra komunizmi këtu duhet të veshë kollare, xhaketë, e të ecë bashkë me intelektualët më në modë. E thënë shkurt, anti-sovjetikët dhe “anti-leninistët” janë të parët që e preferojnë këtë metodë. Gramshianistët preferojnë ta infiltrojnë Katedralen dhe ta shkatërrojnë nga brenda. Në këtë rast, universiteti është vendi i tyre më i pëlqyer.
Në kontekstin Shqiptar, nuk kemi nevojë për shumë fjalë e shembuj për ta ilustruar këtë teatër grotesk. Kushdo që është student, mund të hulumtojë në kujtesën e tij çdo rast kur një pedagog, në vend që të tregohet njeri i dijes, bën propagandë anti-sistem. Kjo gjë ndodhet gati kudo. Këta “pedagogë”, nëse mund të quhen të tillë, mbahen me brezat e studentëve. Vjen një brez, filtrohet, nxirren ca të pashpresë, integrohen në “shokëninë komuniste”, dhe përralla vazhdon në këtë mënyrë. Ndërkohë, “të infiltruarit” mundohen si e si ta marrin peng institucionin më tej, duke mos kuptuar se çdo gjë ua lejon Katedralja fundja. Komunistët duhet të më falenderojnë që po ua bëj këtë nder, po u tregoj sesi po përdoren nga sistemi. Mbase në një të ardhme të largët, do tu rikthehen lojrave të vjetra, do ta kapërcejnë Gramshianizmin në favor të dhunës. Moldbug na tregon pse kjo metodë nuk funksionon. Duhet të kuptoni se çdo anti-materialist pushon së qeni i tillë sapo i kërcënohet çatia mbi kokë dhe tasi i supës. Rrjedhimisht, këta tipa ose mund të luftojnë kundër departamenteve të tyre, dhe të përjashtohen, ose mund të luajnë qetë-qetë derisa karrigia ti integrojë tërësisht tek Katedralja ( dhe më vonë ngrihet një si biçim zyre pune ku i pari merr të tijët e u siguron nga një karrige), ose mund të nxjerrin çdo gjë në shesh dhe të kryejnë vetëvrasje sociale.
Por gjithsesi kjo farsë intelektulalash tregon se të paktën është konceptualizuar rruga drejt pushtetit. Të paktën ekziston një rrugë e drejtë me një qëllim, edhe pse dredhat përgjatë kësaj rruge e pengojnë udhëtarin.
Fabianizmi nga ana tjetër, është vegla e karrieristëve. Një biznesmeni i shkon më shumë për shtat të përfundojë këtu. Shkurt, Fabianizëm do të thotë të mbështesësh partinë e jashtme me shpresë se do vijë dita e shumëpritur, kur nga tepsia e votave do arrish të rrëmbesh një karrige deputeti.
Ishte kjo metoda e Kreshnikëve të Aleancës Kuqezi kur mbështetën PD-n me shpresë se njëri nga to do të bëhej deputet kur të vinte koha. Koha tregoi se bablokët i kishin bërë llogaritë pa hanxhinë. Partia e Jashtme, si një mini-Katedrale kërkon të asimilojë të pakënaqurit. Duhen sakrifikuar shumë parime për tu bërë pjesë e partisë së jashtme. Shtoju këtyre që mund të bëhesh funksionar, por harrojeni rrugën drejt ndryshimit.
Vetëkuptohet pse kjo strategji nuk funksionon.
Nuk deshëm këtu të marrim pozicionin e ndonjë Fukoiani smirëzi. Në fakt, nuk do të themi që ska rrugëdaljë, por as rrugëdaljen nuk do ta përpilojmë. Jo se kemi frikë nga kundërshtarët, por sepse kjo rrugëdalje, përpara se të hidhet në letër, do të përjetohet, nga përjetimi i saj do të lindë alternativa që në këto momente ndodhet akoma në formën e një embrioni.