Në librin e tij më të famshëm “Fusha e madhe e shahut”, diplomati polako-amerikan Zbigniew Brzezinski përvijoi një panoramë të gjërë rreziqesh që kërcënonin Amerikën në një situatë post-sovjetike. Me mbarimin e luftës së ftohtë, bipolariteti i skajshëm që vendoste rregullat e luftës ishte qetësuar pak nga pak duke i dhënë fund frikës apokaliptike nga përbindëshi atomik, si dhe iluzioneve bolshevike për sundimin e botës.
Pak më herët, i shtyrë nga konfuzioni i viteve 90’, Francis Fukuyama me një guxim të tepruar deklaroi se fundi i historisë sapo kishte mbërritur. Ky “fund” i mangët, ngacmoi imagjinatën botërore teksa flakët shuheshin dhe tymi i lënë pas nuk paraqiste ndonjë rrezik. Të jetoje në ato vite duhet të ishte goçha aventurë, forcimi i shtyllave utopike të një qeverisjeje globale dukej me të vërtetë si përfundimi i një konflikti primordial, vetë koncepti i konfliktit dukej sikur ishte zhdukur nga arena botërore. Por si gjithmonë këto parashikime hasën në pengesa. Fukuyama, tashmë, 25 vjet më vonë, detyrohet ta shtyjë fundin e historisë, së paku me disa dekada apo disa shekuj. Ndonëse fundi i historisë mund të shtyhet, ne do donim ta zhvendosnim diku tjetër, dhe të vazhdonim me fundet pak më relative, por shumë herë më të rëndësishme.
Brzezinski nga ana e tij nuk kishte iluzione përsa i përket situatës politike. Gjeostrategjia, si taktikë agresive sipas tij nuk do të vdiste me rënien e komunizmit. Gjeostrategjia është thjesht një nënfushë e gjeopolitikës. Teksa gjeopolitika shqyrton sfondin gjeografik të politikës, si dhe të pushtetit, siç e kemi shpjeguar më parë, gjeostrategjia në mënyrë aktive përpiqet të ndryshojë balancat dhe të realizojë imperativat e veçanta të aksh shteti apo fuqie të madhe.
Gjeostrategjia pothuajse ka rol sulmues e pushtues, rrjedhimisht, në shtratin historik shtrihet një vazhdë e gjatë gjeostrategjish perandorake dhe post-perandorake. Gjeostrategjia e Brzezinskit, pohon vërtetësinë e teorisë euraziatike të Mackinder, duke e pasuruar atë me këshilla të vlefshme për një fuqi të madhe që nxiton të kapë botën nga boshti i saj dhe ta mposhtë. Brzezinski e kuptonte mirë, se në mos një gjeostrategji komuniste, ose e tillë në pamje të parë, një tjetër do tia zinte vendin në atë çka njihet si shkalla e madhe prej druri që të ngjit për tek froni i botës.
Në fakt gjeopolitika dhe gjeostrategjia kanë një natyrë kameleonike. Një model mund të mos jetë i vlefshëm pas një periudhe kohore të caktuar, e kështu me radhë. Gjeopolitika nuk mund të zhduket si koncept, vetëm po zhdukëm tokën nën këmbët tona.
Gjeopolitikanët nuk guxojnë të përmendin diçka kyçe që formon botëkuptimin gjeopolitik. Diçka shumë e thjeshtë dhe e kuptueshme. Përcaktueshmëria e botës si fushë shahu, dhe e aktorëve si gurë të thjeshtë, të detyruar të lëvizin në kuadratet përkatës, jo vetëm që na lë me një fushëpamje tejet deterministe, por edhe na bën të mendojmë për legjitimitetin e njërit entitet përballë tjetrit.
Ky legjitimitet është më i rëndësishmi për suksesin apo jo, të një imperativi gjeostrategjik.
Prandaj kemi vendosur ta parashtrojmë këtu, si fakt të kryer. Imperativi gjeostrategjik vepron nëpërmjet narrativës. Është pikërisht kjo narrativë, kjo rrëfenjë, një fabul e rreme të cilën gjeostrategët ia përsërisin presë dhe vetvetes, derisa të parët ta besojnë e të dytët të vazhdojnë me lojën mizore të shahut. Në kushtet e një pushteti post-perandorak, rrëfenja merr trajtën e një përralle të vërtetë klasike. Një e mirë absolut kundrejt një të keqeje. Një hero i fuqishëm i gatshëm për të therur dragoin që terrorizon fshatin e vogël e të qetë.
Rrëfenja gjeostrategjike merr përmasa gjigande në kushtet e një pushteti post-perandorak. Perandoritë e së shkuarës të paktën funksiononin sipas një përdorimi të veçantë të pushtetit. Të ishe Weltmacht në ato kohë, nuk do të thoshte shumë, pasi në thelb nuk është se ndërmerrje hapa kolosalë drejt ndryshimit të natyrës njerëzore, shkeljes së saj, si në rastin e sovjetikëve, krijimit të një race ariane perfekte pa cene si në rastin e gjermanisë së Hitlerit, apo edhe krijimin e një Njeriu të Ri, si në rastin e ca globalizmave të sotëm.
Perandoria tradicionale nuk kishte për qëllim ndryshimin e botës në thelb, përkundrazi, ajo funksiononte pikërisht sipas rregullave dhe parimeve. Njerëzit sigurisht që vriteshin dhe vdisnin, por aksh perandori fundja dy rrugëdalje kishte. Ose vrit shpirtin e një populli, ose vrit trupin. E para është më e leverdisshme kurse e dyta ka pasoja në dëm të perandorisë. Duhej të zhdukeshin idetë e mëdha perandorake, që të krijohej rrëfenja moderne.
Ky lloj specifik i rrëfenjës u zotua të zëvëndësonte perënditë e rëna, ose edhe të përpiqej ti ringjallte ato.
Arsyeja pse rrëfenja është kaq fort e lidhur me ekzistencën e një pushteti perandorak ose post-perandorak gjendet tek urrejtja që rrëfyesit kanë për historinë. Ata duan ta zhdukin historinë dhe njollat e saj vrastare. Rusia kërkon të zhdukë të kaluarën e saj makabre për të legjitimuar rrëfenjën e një Rome të Tretë. Amerika kërkon të zhdukë gabimet e saj për ta konsideruar veten përçuese të një autoriteti hyjnor siç përshkruhet tek Manifest Destiny. Europa kërkon të zhdukë reputacionin e saj, atë të kampiones së padrejtësive, që të tërheqë popujt e vegjël. Kina gjithashtu nuk do ta pranojë se popullin e vet e shikon si një zgjoje bletësh punëtore që mund të zëvëndësohen sa herë të dojë kuadroja udhëheqëse.
Kaq me moralizma. Është e thjeshtë të shqyrtosh fuqitë e mëdha bazuar në premtimet që ato japin. Hetojini në brëndësi të tyre. Tek gjallesat gjeopolitike postmoderne, vlejnë po ato rregulla si tek individët.Duke përsëritur postulatin e mëparshëm, kombet e vogla përpiqen të mbijetojnë. Mbi këtë rrafsh të mbijetesës, luftojnë nga njëra anë, rrëfenja, që kërkon ti zhdukë në çdo mënyrë të mundshme, dhe vetë kombet, të sulmuara pareshtur.
Pra, na nevojitet një dekonstruksion i vektorëve veprues të gjeostrategjisë, duhet të dalë në pah koncepti i rrëfenjës, për të ndriçuar udhën drejt së vërtetës.Sigurisht që duhen marrë parasysh ndryshimet e mëdha historike që na çuan deri në këtë pikë. Kameolonizmi gjeopolitik i hapi udhë rrëfenjës së përmbysur. Rrëfenja e kushtëzuar nga një postmodernitet gjithështrirës, merr trajtën e një mesianizmi të ngurtë.
Rrëfenja mesianike është ku e ku më e rrezikshme sesa ajo që garanton sigurinë botërore, për një arsye të vetme. Tokëzimi i një parimi suprem rrit mundësitë e një mëkati të shumëfishtë. Kush pretendon se i është dhënë autoriteti nga lart në këtë epokë, ka pohuar autoritetin e poshtëm. E me të vërtetë, pushteti në kohët tona vjen nga poshtë.
Thamë më parë që gjeostrategjia është agresive. A mund të ekzistojë një gjeostrategji mbrojtëse?
Varet. Agresiviteti herëpashere përdor argumentin e konfliktit preventiv për të justifikuar ndërhyrjet ndërkombëtare. Nuk është se nuk kanë të drejtë në njëfarë mënyre. Një pushtet post-perandorak gjithmonë e më shumë dëshiron ta ketë rrezikun sa më larg nga vetja. Trupi politik para-modern nuk kishte pse të shqetësohej shumë për rreziqe kufitare të zgjatura, kurse tashmë, ndërlidhja botërore i detyron entitetet gjeopolitike që shpeshherë të vëzhgojnë mirë, hapësirat përtej deteve, nga ana tjetër e botës. Nga ana tjetër një preventivizëm i tepruar çon në destabilizime rajonale. Këto janë toka pjellore për zbatime rrëfenjash.
Në rastin e Shqipërisë, aktorët nxitojnë të jenë të parët, ndihmesë e heronjve të përrallave. Jemi të sigurt se një popull i vogël si i yni, nuk vlen shumë në një rrëfenjë botëndryshuese. Mund të vlejë si një shërbëtor i heroit fuqiplotë. Ky hero, në luftën e tij të paepur kundër së keqes fiktive, harron se gjithashtu ai vetë është një e mirë fiktive. Përfundimisht rrëfenja e shpik të mirën e të keqen, kurse gjeopolitikanët, bëhën papagaj.