Alkimia: Nga Zosimi i Panopolit tek Karl Jungu. Pjesa II

Duam të shpjegojmë që kërkimi jonë në fushën e alkimisë nuk pretendon të jetë një kronologji historike e alkimistëve dhe veprave të tyre, për dy arsye. Së pari, do të duhej një punë tepër e madhe dhe voluminoze për të regjistruar të gjithë instancat historike të praktikës alkimike dhe përfaqësuesve përkatës, së dyti, duhet përdorur një përkufizim i qartë i domethënies së praktikës alkimike që më tej, ky art le të themi, të shqyrtohet drejtësisht. Thamë në pjesën e parë që alkimia është gjykuar keqazi nga shkenca moderne, dhe i dhamë provat me anë të komentareve të Zosimit.

Duke qënë se gjykimi modern i shkencave antike, është i mangët, dëshirojmë të përsërisim edhe një herë që ky gjykim e ka zanafillën tek një pikëpamje e caktuar e historisë. Ky është modeli linear që e trajton historinë si një përparon ku format e prapambetura zëvëndësohen nga ato më të avancuarat. Në thelb të kësaj pikëpamjeje ndodhet pohimi që Bërja është ontologjikisht superiore ndaj Qënies. Prandaj nuk kemi pse habitemi që perspektiva moderne i shikon shkencat antike sipas një prizmi të shtrëmbër ku proceset lëndore i paraprijnë atyre shpirtërorë, ku alkimia fillimisht ishte sharlatanizëm, dhe pastaj mori formën e vet të vërtetë tek kimia moderne. Pra historia merr karakter evolucionar ku më përpara supozohet se njeriu strukej në errësirën e injorancës dhe shpikte kleçka e historira në mungesë të shkencës moderne botëzbuluese, kurse tashmë, i kemi zgjidhur të gjitha hallet e botës, dhe mbetet vetëm të eksplorojmë hapësirën në kërkim të aventurës së radhës.

Kundrejt kësaj pikëpamjeje qëndron botëkuptimi Tradicional i metafizikanit Rene Guenon dhe filozofit Julius Evola (kryesisht). Për Rene Guenon, shtjella e historisë ndjek modelin e katër epokave ciklike tek Manvantara Hindu. Për të mos krijuar paqartësi gjuhësore, do përdorim modelin e greqisë së lashtë që ndjek po të njejtat linja. Epoka e artë, epoka e argjendtë, epoka e bronztë dhe epoka e hekurt (Sipas Ovidit). Sipas këtij modeli, çka ishte fillimisht e pastër dhe e plotë, degradon me kalimin e kohës duke u manifestuar keq e më keq.

Në epokën e hekurt (ose Kali-Yuga, e errët, hindu), lidhja me parimin suprem është shkëputur në mos tërësisht, pothuajse. Kështu, nxjerrim përfundimin që alkimia degradoi përgjatë historisë derisa u shndërrua në kiminë e sotme. Vetë procesi i shndërrimit përmban ndërlikimet e veta, humbja e dijes alkimike i atribuohet fillimisht trazirave të historisë, më vonë shndërrimi ishte vetëm një pasojë e së mëparshmes. Prandaj, teksa japim shembujt nga historia, duhet thënë që shqyrtimi kronologjik në këtë rast, funksionon në baza përshkruese të interpretimeve. Nuk do lëmë jashtë kësaj perspektive as aventurat e qymyrdjegësve të hershëm e të vonshëm, e as të ndonjë qasjeje psikoanalitike.

E lamë tek Zosimi. Rreth kohës së tij krishtërimi po bënte përpjekjet e para për tu konsoliduar. Këshilli i parë ekumenik i Nicesë, i mbajtur në vitin 325 përjashtoi një herë e mirë elementet gnostike nga gjiri i krishtërimit. Arianizmi, asokohe thjesht njëri nga variantet e gnosticizmit, u ndëshkua dhe kështu filluan persekutimet në masë ndaj gnostikëve. Trinitarët e fituan luftën e gjatë dhe doktrina u njehsua. Megjithatë, krishtërimi nuk shpëtoi njëherë e mirë nga gnostikët, të cilët i mbijetuan persekutimeve deri në mesjetën e vonshme. Alkimia në këto kohë, si praktikë kryesisht e hermetizmit, u përvetësua nga gnostikët, u përpunua dhe u morën masa për fshehjen e saj nga të krishterët. Zosimi ishte njëri nga këta “praktikantë”, e mbledhës të traditës hermetike. Me përforcimin e masave të krishtera kundër herezive, nestorianët, një sekt heretik u arratisën për në lindje. Me vete morën dhe trajtesat alkimike. Se sa shumë u njollos alkimia nga eksperimentet gnostike, këtë nuk mund ta vlerësojmë mirë. Dimë vetëm që gnostikët u përkujdesën për alkiminë veç për shkak të kapacitetit të kësaj praktike për tiu qasur “realiteteve më të larta”. E gjithsesi këto “realitete më të larta” hermetike nuk ngjasojnë me teologjinë gnostike. Dijetarët islamikë në lindje i ruajtën trajtesat alkimike dhe i përpunuan më tej. Prej nga vjen dhe termi al-kimiya, sa për kureshtje po  përmendim që në kohën e Zosimit, arti alkimik quhej “Chemeia”.

Në një mënyrë a një tjetër me ndihmën indirekte të Zosimit, alkimia u përthith nga islami edhe pse origjina e saj ishte e ngulitur në hermetizëm.Vëmë re që vetë Hermes Trismegistus u identifikua me Enokun biblik, sikundër Zosimi e lidhte alkiminë me Librin e Enokut, duke mëtuar se Hermes-i ishte i përfshirë me priftërinjtë e Izraelit.

Në shekullin e tetë, arabët e sollën alkiminë në Spanjë, kurse në shekullin e dymbëdhjetë, trajtesat alkimike filluan të përktheheshin gjerësisht. Përgjatë këtyre viteve, kuptohet që Europa u mësua me çfarëdolloj përzierjesh të çuditshme gnostiko-hermetiko-islamike që thjesht sa e fshehën më shumë kuptimin e vërtetë të praktikës. Duhej të mbërrinte Rilindja e hershme europiane që alkimia të zinte një vend të rëndësishëm e të hetohej zanafilla e saj. E kaluara hermetike e alkimisë u zbulua aksidentalisht nga puna e filozofit Marsilio Ficino. Ficino përveç pozicionit të kënaqshëm si kushëri i papës, kishte lidhur ortakëri me Cosimo de Mediçi-n, Mediçi nga ana e tij ishte një bankier e nje politikan i fuqishëm që de-fakto sundonte Firenzen e atëhershme.

De Mediçit i kishin rënë në dorë tekstet e Corpus Hermeticum. Duke supozuar që Corpus Hermeticum ishte shkruar në kohen e faraonëve, ai pajtoi Ficinon që të shërbente si përkthyes i këtij koleksioni kaq të lashtë dijesh. Ficino jo vetëm që përktheu Corpus Hermeticum, por në trajtesat e mëvonshmë mbi Platonin dhe neoplatonikët, nënvizoi që Hermes Trismegistus kishte qenë mësuesi i Platonit e për pasojë, edhe i gjithë filozofëve pas tij. Gjithsej shkroi 14 libra mbi Corpus Hermeticum, si një nga mendjet e mëdha të Rilindjes, krahas Giovanni Pico Della Mirandola, Ficino i mbijetoi turbullirave të kohës duke përfunduar në prehrin e Giordano Brunos, disa dekada më vonë.

Hermetizmi lulëzoi përgjatë Rilindjes. Personazhi kyç, i kësaj epoke ishte Theophrastus von Hohenheim, ndryshe Paracelsus, i mbiquajtur “Hermesi gjerman”. Paracelsus mishëroi në praktikën e tij postulatin hermetik “mundus imago dei” (Bota është në imazhin e Perëndisë). Më shumë si alkimist e hermetist, e më pak si farmakolog, vepra e Paracelsus la mbresa të gjata në mendësinë europiane. Që nga zbulimet mjekësore e deri tek krijimi i vëllazërisë Rozikruciane, Paracelsus ndoqi hapat e magjisë natyrale të Ficinos. Ndarja trepjesore e njeriut tek Ficino, Corpus – Spiritus – Mens (ose nous), u reflektua tek triada alkimike e Paracelsus: Kripa = Lënda (hyle) , Sulfuri = Shpirti (psuche), Mërkuri = Fryma (pneuma). Kjo triadë i shërbeu edhe në mjekësinë praktike. Një shembull është laudanumi i përdorur tek pacientët. Paracelsus mëtonte që ekstrakti i lulëkuqes, formonte eliksirin që shëronte njeriun. Kjo sipas korrespondencës simbolike të përmbajtur tek mërkuri. Nëse mërkuri ose quinta-essentia, do të nxirrej nga aksh mineral apo bimë, rezultati do shërbente si eliksir shërues.

Pra, mërkuri këtu nuk është element kimik, por vetëm simbolik. Më vonë një nga nxënësit e tij shkroi trajtesën “Dasma kimike e Christian Rosenkreutz”.Pati të tjerë që ndoqën gjurmën alkimike, njëri ishte Magus-i i shumëpërmendur John Dee.

Normalisht që në këto 1600 vjet alkimi rrëmuja sa vinte e shtohej. Arkonët gnostikë përmendeshin nga Paracelsus, ky i fundit kujtonte që këta vinin nga Hermesi. Giordano Bruno në veprën “De Magia” merrte borxh në mënyrë të pandërgjegjshme nga filozofi islamik El-Kindi, Heinrich Kunrath ndër të tjerash në veprën “Amfiteatri i Urtësisë së Përjetshme” thoshte: “YHWH, krijuesi i gjithçkaje, lëri fuqitë e tjera të jenë vartësit e tu”, e kështu me radhë. Alkimia e rizbuluar humbi përsëri. Kataliza kësaj radhe u bë Reformacioni protestant. Reformacioni mbërriti si ndëshkuesi i imagjinatës Rilindase. Burgosësi dhe persekutuesi i hermetistëve, alkimistëve, the astrologëve. Kjo epokë e errët pashmangshmërisht i hapi udhë kodimit të mëtejshëm të alkimisë, veprime këto që e zhytën në errësirë totale. Pak nga pak, alkimistët filluan të mbështilleshin në vellon eksperimentale lëndore.

Qymyrdjegësit e hershëm, mendonin që zotat u kishin dhënë aftësinë për ta shndërruar zhivën në ar. Qymyrdjegësit e vonshëm, menduan se mund të shndërronin çdo objekt të verdhë në ar. Shfaqja më e turpshme e kësaj injorance ishte eksperimenti i alkimistit Hennig Brand. Brand kujtoi se mund ta shndërronte urinën e tij në florinj, dhe aksidentalisht zbuloi fosforin. Isak Njutoni nuk guxoi të pranonte para publikut se alkimia e ndihmonte në zbulimet shkencore, pasi mund të persekutohej. Njutoni gjithashtu bënte gabimin e të përdorurit zhivë të njëmendtë, duke u sëmurur shpesh.

Tashmë alkimia, kishte hyrë në epokën e sharlatanizmit dhe mashtrimit. Mbërritja e Epokës së Re, nuk e ndihmoi aspak situatën e mjeruar të artit të vjetër.

  • Post author:
  • Post category:Ezoterikë