Ke njëzet vjet, këndonjës, që po këndon këtë Kalendar, edhe unë kam nëntëmbëdhjetë vjet që po kuvendoj me ty, që njihemi si dy shokë, si dy miq. Njëzet vjet! Është një jetë e tërë. Një e pestë shekulli, pothuajse një brez njeriu. Të tjerët e kanë zakon që, kur mbushet i njëzeti mot i një pune, i një vepre, e festojnë atë ditë, e kanë jubile. Ne, për fat të keq, ky mot i njëzetë na gjen, jo në gëzime e festë, po në zi e pa fat. Pse kjo e keqe për ne? Që nëntëmbëdhjetë vjet e tëhu s’kam pushuar së thëni shkaqet, së numëruari pse, qysh dhe si. Këndonjës, të kam folur kurdoherë vëllazërisht, të kam rrëfyer gjembat dhe gurët e udhës; të kam nxjerrë një kandil të vogël që të ta ndriçoj rrugën, të mos të të le të pengohesh. Çdo rrezik, çdo ferrë, çdo rripë ta kam shënuar; nuk të kam fshehur asnjë të keqe, asnjë mynxyrë. Gjithë kujdesi im ka qenë që të të ndriçoj udhën; shumë herë të kam rrëfyer të këqijat sa pa i parë ti vetë, pa u shfaqur ato, qysh më parë. Edhe më tepër se çdo gjë, kjo ka qenë puna ime. Fjalët e tjera s’janë veçse një stoli, një pakicë kripë për qëllimin e vërtetë. Edhe ky qëllim ka qenë qysh të ruajmë kombin tonë prej prishjes, qysh ta nçjerrim në liman të shpëtimit. Qysh do ta gjejmë shpëtimin, kur do të dalim në ditë të bardhë?
Për të dalë në breg, duhet që të ruhemi nga shkëmbinjtë që janë nën ujë, dhe nga ferrat, që janë në rrugë. Çdo udhë nxjerr në shpëtim, nëse dimë të ruhemi nga rreziqet. Që të shohim kulluar gjithë rreziqet, që na rrethojnë, gropat, rripat dhe grackat, që janë çelur dhe ngrehur në çdo anë, duhet që të shikojmë me sy çelur, me mendje e me zemër të pastër, pa napë në mes të syve e të diellit. Me një fjalë, duhet të kemi patriotizëm.
Patriotizma është dashuria për mëmëdheun, është ajo ndjenjë që na shtyn të duam vendin tonë dhe të mendohemi për të; është ajo ndjesi që na bën të nderojmë para çdo sendi të mirën dhe interesin e mëmëdheut e të kombit. Interesi dhe e mira jonë duhet të vijë më pastaj, në shkallë të dytë. Ta themi me të tjera fjale: patriotizma e kërkon që çdo njeri të dojë e të kërkojë nderin dhe interesin e vet, në nderin dhe interesin e përgjithshëm, dhe jo në dëm të përgjithshëm. A duam të jemi të nderuar, të mëdhenj, me emër dhe me respekt? Duhet që këto të mira t’i gjejmë te nderi, madhëria, respekti dhe interesi i mëmëdheut dhe kombit. Patriotizma është një virtyt që na shtyn të bëjmë theror çdo gjë për mëmëdheun. Mijëra shembuj gjer më sot, në çdo kohë dhe në çdo komb, na rrëfejnë qysh shogron njeriu jetën e tij për fitim të përgjithshëm, qysh vdes i gëzuar për shpëtim të mëmëdheut dhe të kombit. Po në qoftë se patriotizma vetë është një ndjenjë e lartë, një virtyt dhe një cilësi e lavdëruar, m’anë tjetër është një detyrë për njeriun, është një prej sharteve të rrojtjes, është një shtrëngesë që e shtyn robin të jetë patriot.
Le të mos kërkojmë ndjenja të shkëlqyera; le të mos shkojmë në shkallët e larta të mendjes dhe të idealit; mos ta shikojmë patriotizmin si një virtyt dhe si një moral të madh. Le t’ulemi poshtë në shkallë të njerëzisë, le ta këqyrim çështjen prej pikëpamjes së rrojtjes dhe prej nevojës së trupit lëndor. Me fjalë të tjera, nuk po e shohim patriotizmin si një ide morale të njeriut, po si një nevojë të gjallesës.
Çel sytë, këndonjës, dhe shiko. Shih se qysh çdo gjë e gjallë në këtë botë është në luftë dhe në përpjekje të paprerë. Çdo gjë që lind, duhet të rrojë dhe që të rrojë, duhet të ketë vend dhe ushqim. Asgjë nuk del nga hiçi. Mbill një mijë fara mbi një copë tokë e do të shohësh se nga çdo farë ka për të shkalluar një lastar i vogël; por sa prej këtyre lastareve do të rriten dhe do të bëhen bimë të mëdha? Nëse dheu ku kanë mbirë është i ngushtë, nuk është i mjaftë që t’i nxërë dhe t’i ushqejë, atëherë ato do të veniten. A ke vënë re në një pyll, se qysh nën drurët e mëdhenj janë dhe filiza të vegjël. Këta lastarë përpiqen të rriten, të gjejnë shtigje drite dhe ushqimi, se nuk i lënë më të mëdhenjtë. Po, që të mundin ca lastarë të rriten, duhet një luftë e ashpër dhe e rreptë, një luftë në të cilën çdo bimë, me durim dhe me ngadalë përpiqet të mbijetojë.
Kjo luftë dhe kjo zihje është dhe m’e çelur, e m’e dukur akoma te kafshët. Çdo kafshë e madhe ha të voglën; kafshër e egra: ujku, tigri, luani hanë kafshët më të buta dhe më të dobëta: delen, lopën, antilopën; fajkoi, skifteri dhe shqiponja shqyejnë shkurtat, harabelat, pëllumbat dhe guguçet; dhelpra mbyt pulat dhe patat; rosat hanë me qindra krimba ditën dhe dallëndyshja e dobët kapërcen me mijëra miza, flutura dhe vemje. E kështu me radhë. Se gjithë këto duan të rrojnë dhe që të rrojnë, duhet që të hanë kafshët e vogla, të dobëta dhe më pak mbrojtura e të përgatitura. Tani nga bimët dhe kafshët, le të vimë te njeriu dhe të shohim njerëzit, që të gjejnë vend mbi këtë truall, janë të shtrënguar të luftojnë dhe të përpiqen pa reshtur. Jo vetëm duhet të punojnë tërë ditën, të derdhin djersën e ballit, po dhe shumë herë duhet që të hahen me shoku-shokun, të vriten dhe të therren. Lufterat në mes të njerëzve nuk kanë shkak tjatër. Luftëra ka ngjarë kurdoherë. Edhe sot, shekulli ynë i njëzeti po sheh më të madhen dhe më të tmerruarën e luftërave, që syri i diellit dhe i hënës kanë parë gjer më sot.
Pse këto luftëra? Se çdo njeri do që t’i sigurojë vetes një jetë të mirë në vendin e tij, kërkon që të ketë një truall të volitshëm, një fole komode, një shtëpi të mirë; kërkon që të gjejë mbështetje dhe prehje, të rrojë mirë, të majë jetën e tij, të mos Vdesë pa kohë; kërkon një vend më të gjerë, që të japë prodhim dhe të pjellë drithë, të ketë livadhe; dëshiron një klimë të bukur e të ngrohtë, që të mos vuajë së ftohti dhe të mos heqë keq; kërkon një det që t’i lehtësojë marrëdhëniet me botën dhe tregtinë, pëlqen pyje dhe metale që t’ i japin lëndë të vlejtura e të duhura.
Po e sheh, pra, këndonjës, se njeriu, si çdo gjë e gjallë, bimë a kafshë, i bindet një nomi, që i urdhëron të luftojnë për të rrojtur, atij nomi të verbër, që i shtyn të mbysin dhe të vrasin tjetrin, për të siguruar jetën e tij. Mbrojtja kundër vdekjes dhe kundër humbjes, është një ligj i natyrës.
Disa kafshë e shpëtojnë jetën e tyre, duke ikur, duke nxituar, duke u fshehur; ca të tjera mblidhen lëmsh dhe mbulohen me gjemba (si iriqi), ose futen nën dhe’ (si urithi), mbajnë helmin në gojë (si nepërka dhe përçollaku), mbulohen me një lëng djegëg (si thithëlopa) etj. Po në qoftë se shpejtësia e këmbëve ose fuqia e brirëve dhe mprehtësia e dhëmbëve është një mjet shpëtimi, shumë herë kafshët më të dobëta dhe më të vogla gjejnë një fuqi të re, duke u bashkuar dhe duke qëndruar bashkë gjithë të së bashku të thumbojnë hajdutin, njeri apo ari qoftë.
S’ka gjallesë, sado e dobët të jetë, që të mos ketë një mjet mbrojtjeje. Ato që s’kanë qenë të zonjat të mbrojnë veten e tyre, kanë humbur nga faqja e dheut, janë shuar prej radhojit të të gjallëve; ato gjallesa që u ndodhën të zonja të kundërqëndrojnë, rrojtën dhe arritën gjer më sot, duke u ndryshuar dhe vetë: duke ecur pas kohës dhe pas nevojës. Meqenëse çdo gjë në këtë botë ndryshohet dhe kthehet, edhe nevojat s’mbeten kurdoherë ashtu si ishin dhe gjë e gjallë të ecën sipas kushteve të reja të rrojtjes.
Ai që përshtatet pas kohës, ai rron. Ky është një ligj i përjetshëm dhe i përgjithshëm.
Fjala e plakut thotë: Si vendi dhe kuvendi.
Tani, këndonjës, le të vijmë te njeriu. Njeriu ka armiq fenomenet e këqija të natyrës, kafshët e egra, por edhe vetë njerëzit. Me se u qëndron dot kundër? Me dy gjëra: 1. Duke shpikur mjete të reja mbrojtëse po edhe armë, sipas pjellorisë së mendjes; 2. Duke u shoqëruar dhe u bashkuar, duke sjellë fuqi të bashkëta, duke i qëndruar si një trup rrezikut.
Bashkimi dhe shoqëria e bën njeriun njeri të vërtetë; sikur të rronte i vetëm, ahere fuqi e cilësdo gjymtyrë, veç e veç, do të mbetej fort e paktë dhe pamjaft’e’ për të jetuar.
Jeta shoqërore i premton dhe i siguron njeriut që të mund të mbrohet, të mund t’ushqehet, të mund të zhvillohet e të mbrothësohet; pa jetën shoqërore njeriu as do të lëronte, as do të mbillte, as do të korrte, as do të nxirte metale, as do të ndërtonte, as do ta ndryshonte dot botën. Gjithë ç’bën për jetën e tij, e bën me vetëdije, duke bashkuar në një vend fuqitë, ato fuqi, që janë kaq të dobëta e të pakta veç e veç.
Gjithë misteri i njerëzisë, i përparimit dhe i qytetërimit të saj është te kjo jetë shoqërore.
Njeriu është shoqëruar më parë me ata njerëz që i ka pasur më të afërt, me vëllezërit dhe kushërinjtë; më pastaj me farefisin, fqinjin e afërt dhe më tutje me fqinjët më të largët; ca nga ca ky rreth është madhuar, duke përmbledhur në një qark të një shumicë njerëzish të cilët kanë zënë të ndjejnë veten e tyre të interesuar bashkërisht, kanë filluar ta shikojnë veten e tyre si një familje të madhe, të kenë zakone e nome të bashkëta, të kene një gjuhë. të shohin. të kuptojnë dhe të bashkëpunojnë për nevojat e tyre.
Po e sheh, o miku im, se njeriu është shoqëruar me t’afërmin e tij prej nevojës, që të ushqehet, që të mbrohet më mirë dhe më lehtë, më një fjalë që të sigurojë jetën dhe vendin ku rron Shoqëritë e vogla përpara një nevoje më të madhe janë afruar te njëra tjetra dhe kanë formuar një popull, një komb, një mëmëdhe.
Kështu ka lindur bashkësia, shoqëria, kombësia. Ai vend, që ka qenë i banuar prej një populli a prej një kombi, është quajtur mëmëdhe. Kombi i tërë ka pasur për nevojë dhe për detyrë që ta mbrojë vendin, mëmëdheun; që të luftojë kundër një armiku të jashtëm, ose të sulet mbi një komb tjetër, që t’ i rrëmbejë dheun e tij më pjellor, ose t’ i grabisë plaçkën, begatinë dhe lirinë.
Mbrojtja e këtij mëmëdheu dhe e çdo gjymtyre që formon kombin, përbën patriotizmën. Njeriu, që e sheh veten e tij si një pjesë, si një copë, si një gjymtyrë të një kombi, nuk mund që të mendojë vetëm për veten e tij. Sado që egoizmi është një nom i natyrës, prapë ky nom e shtyn njeriun që të kërkojë dhe të bashkojë egoizmin e tij me egoizmin e gjithë shokëve, që formojnë kombin, që jetojnë n’atë mëmëdhe. Shembullin e një njeriu të tillë e shohim te trupi i vet: nuk mundet as dora, as këmba, as koka, as barku, as goja, që të bëjë secilido veçmas atë që duhet; asnjë prej këtyre gjymtyrëve nuk mund që të veprojë vetëm dhe vetëm për veten e vet, pa qenë të urdhëruar nga mendja dhe pa u harmonizuar e kujdesur për njëra-tjetrën. Se ahere nuk rron dot trupi, shkatërrohet dhe vdesin gjymtyrët.
Që të mund të rrojë dhe të shëndoshet shoqëria, duhet që të mbahet bashkimi, domethënë harmonia dhe solidariteti në mes të njerëzve.
Harmonia dhe solidariteti, domethënë të shkuarit mirë së bashku dhe të ndjerët të lidhur me interes, këto janë të dy kushtet e mëdha të patriotizmit. Ahere mund të shumohet fuqia dhe mund t’i kundërqëndrojë njeriu armiqve.
Kështu, patriotizmin e sollëm në një shkallë, në një pikë më faktike; tanimë nuk po e shikojmë vetëm si ideal morali, si një zi virtyti; e shohim si një gjë të duhur dhe të nevojshme për rrojtje dhe gjëllim. Po e rrëfejmë tani si një detyrë, si një hua, si një shtrëngim, si një forcë, për të mbajtur gjallë e përparuar kombin dhe mëmëdheun.
Edhe kjo detyrë është m’e madhe akoma për ne shqiptarët. Ngjatjet dy viteve të fundit (1914-1915) na dëftejnë edhe një herë se për ne patriotizmi është kushti i parë i rrojtjes. E pamë qysh e pësuam, se ç’vuajtëm, kur e humbëm patriotizmin. U bjerrëm nga nderi, nga madhëria, nga të qenët të zotë dhe n’indipendencë, nga të qenët në liri. Në dy vjet e sipër vdiqën dhe u vranë në Shqipëri aq njerëz, sa edhe m’e madhja e mortajave nuk vret dot. Në dy vjet e sipër në Shqipëri u prishën dhe u shkretuan aq shtëpi, katandi e fshatra, sa edhe një luftë njëzëtvjetëshe nuk e prish dhe e shkreton dot.
Gjithë këto mynxyra na erdhën se nuk patëm patriotizëm, se nuk ditëm të mendohemi dhe të kuptojmë që, në mos rrëfefshim sot pak vullnet e dhemshuri për mëmëdheun dhe në mos heqshim një pakicë mundim për atë, nesër do të gdhihemi të shuar dhe të vdekur. Punën e shikuam si një lodër, si një qeshje, si një mahi dhe nuk i dhamë gjithë rëndësinë. Kur flitej për mëmëdhe, për komb dhe patriotizëm, thoshim: ”Unë do ta mbaj Shqipërinë, a? Mua më mbeti që të rrëfehem patriot?” dhe shikonim prehjen, shikonim që vetëm neve të mos na vinte ndonjë e keqe, pa të tjerët le të humbisnin e le të shuheshin! Harruam që lumturia jonë mbahet dhe sigurohet me lumturinë e përgjithshme, harruam që njeriu rron në një mëmëdhe, duke u mbajtur me harmoni dhe solidaritet, duke hedhur më nj’anë egoizmin vetjak.
Ky është kuvendi im me ty sot, këndonjës! Këto doja të thosha. Gjeji si të duash, t’ëmbla a të hidhura, këto janë fjalët e mia. Në këtë lëmë të madh, që i thonë mëmëdhe në këtë koshere të madhe, që i thonë komb, çdo njeri, që nga m’i vogli e gjer te m’i madhi, të gjithë kanë një detyrë, të gjithë kanë një vend dhe një barrë; askush mos e pandehë veten e tij të shpenguar e të veçuar. Kombi është si një makinë e madhe, ku çdo rrotë apo vegël ka rolin e saj. Mos thuaj: ”kështu e kam gjetur, kështu do të shkojë”.
Jo. Nomi i natyrës njerëzore e do që çdokush të vejë pas kohës, të ecë pas nevojave të njerëzisë. Edhe këto nevoja sot na urdhërojnë që të kuptojmë ç’është patriotizma, të dimë ç’është bashkimi dhe solidariteti, të dimë se pa këto nuk rrojmë as përparojmë dot as si komb, as si njeri.
Mid’hat Frashëri Sofje, më 27 dhjetor 1915
Shkëputur nga “Mid’hat Frashëri: Vepra të Zgjedhura – Vëllimi i dytë” (faqe 156 – 162)