E ardhmja zgjat përgjithmonë: Autopsia e një epoke.

Louis Althusser u shfaq në teatrin francez filozofik si shpëtimtari i marksizmit. Ishte koha e momenteve të çmuara. Një veprimtari me përmasa kaq mesianike gjithsesi ishte e rrezikshme. Medoemos duhej vlerësuar leverdia e gjestit. Edhe pse dekada më vonë, Althusser degradoi deri në atë pikë sa dilte rrugëve të Parisit duke bërtitur “Unë jam i madhi Althusser!” , vepra tashmë kishte përfunduar, vrasja u krye, si në kuptimin figurativ, edhe në atë të mirëfilltë. Thelbi i kësaj çështjeje është që Althusser tronditi publikun francez aty nga fundi i vitit 1980 duke u bërë qëndra e vëmëndjes së medias. Althusser kishte vrarë gruan e tij, në një moment çmendurie, arsyet pse nuk ishin akoma të qarta por, kjo ngjarje e njollosi reputacionin e tij aq sa e lejonte indinjata e kohës.

Althusser mbiu atëhere kur marksizmi gjendej i sulmuar nga të katër anët qoftë nga strukturalizmi, qoftë nga rrëmuja në lindje me Stalinin dhe sipas vetë Althusser-it, nga “humanizmi” që disa të papërgjegjshëm ishin munduar tia ngjisnin marksizmit.

Duhej “ç’humanizuar” marksizmi që të rikthehej në lavdinë e mëparshme. Duhej kthyer me kokë poshtë   mohimi strukturalist i vërtetësisë së kuptimit të jetuar, edhe fenomenologjia duhej shtyrë në varr. I shkreti Sartre dhe marksizmi ekzistencial, e shkreta ndërgjegje klasore. Le ta harrojmë Marksin e Ri, njeriun e lirë, dhe mbi të gjitha, praksis-in. Marksizmi është anti-humanist dhe shkencor, thoshte Althusser. Njeriu është produkt i shoqërise, kurse vullneti i lirë  është gënjeshtër, më saktë, ideologji. Ideologji në kuptimin e keq, përfytyrim i rremë. “Ideologjia përfaqëson marrëdhënien imagjinare të individëve me kushtet e tyre të vërteta të ekzistencës”

Nuk do të zgjatemi shumë tek mendimi i Althusser, mjafton një paragraf i shkurtër, fundja ka burime shumë më të mira sesa ne, për të studiuar konceptet e tij. Althusser u bë shumë i famshëm në kohën e tij.

Mjafton të shtojmë se Michel Foucault, ndoqi udhën e mjeshtrit Althusser, duke qenë se ishte dhe nxënësi i tij, anti-humanizmi mori kthesë më të fortë dhe mohuese të çdo të vërtete. Zoti Foucault i hedh tulla policisë teksa bën kujdes të mos ndotë kostumin e tij të shtrenjtë do të thoshte dikush.

Mirë po çna duhet Althusseri? Do të ishte e pamëshirshme dhe sipërfaqësore sikur ta gjykonim të gjithë veprën e tij nisur nga një veprim i kryer në pikun e delirit siç është vrasja e gruas në mes të ditës. Mendimi i një personi nuk ka lidhje me jetën e tij personale, apo jo? Këtu hyjmë tek terreni i Teodor Adornos. Këtij shkrimi nuk i shkon të imitojë librin “Personaliteti Autoritar”. Përmbledhja e çdo pikëpamjeje politike autoritare nën një spektër psikologjik ku neuroza Frojdiane dhe trauma e shtypur përbëjnë thelbin, thoshte Adorno. Prandaj në çdo skenar logjik, Althusser dhe gruaja e tij duhen lënë rehat, të mos bien viktimë e disa gojëve të liga.

Ka ca mospërputhje. Theodor Adorno mblodhi statistika ku mundi, për të provuar tezën e tij. Althusser nga ana tjetër shkroi një libër të tërë autobiografik ku me penën e tij, shkruante dhe pranonte se kishte qenë filozof i dështuar, i prangosur nga kujtimet e fëmijërisë, dhe një mashtrues i pacipë.

Althusser mund te ishte mjaftuar me faktin se i sëmuri mendor do lihej i qetë nga një shoqëri e ndjeshme, fundja shteti francez kishte qenë mjaft i ndjeshëm kur refuzoi ta plaste në burg, e në vend të kësaj, e futi në një spital psikiatrik, nga i cili si me magji, Althusser u lirua pas tre viteve dhe vazhdoi jetën rehat. Por Althusser nuk kishte nevojë të shfajësohej përpara Francës për vrasjen e mirëfilltë. Në fakt duhet të shfajësohej për vrasjen figurative, parimisht të fajësonte veten si intelektulal, në perspektivë të mos i linte udhën e hapur kundërshtarëve. Ti hedhësh baltë vetes para vdekjes është akt i guximshëm, shmang turpin e njollosjes pas vdekje.

Kështu, pesë vjet pas vrasjes, Althusser nxjerr librin “E ardhmja zgjat përgjithmonë”. Një autobiografi që ia vlen të lexohet për sinqeritetin në të shkruar e ca më shumë pasi personi në fjalë hoqi dorashkat që zor se mund të hiqeshin ndryshe. Prandaj propozojmë një titull tjetër për këtë libër.

“Si të shkruajmë filozofi me dorashka”. Që në faqen e parë përshkruhet vrasja që për arsye etike nuk do ta përfshijmë këtu, mund të japim vetëm përshtypjet e para që vërviten rreth një makabriteti qesharak, një komedie të zeze. Teksa i bënte masazh qafës së gruas, Althusser padashur e vrau. Më vonë ai shpjegon, nuk ishte i ndërgjegjshëm derisa e gjeti veten në dhomën e një spitali.

Diku nga mesi i librit ai thotë se vrasja ishte paksa e justifikuar, e mund të klasifikohet si eutanazi, pasi gruaja e tij e kishte shprehur deshirën për të vdekur shumë herë.

Althusser përshkruan fëmijërinë e tij fatkeqe, zënkat familjare që e shtynë të bëhej martir që në moshë të re. Të mbronte të ëmën nga një baba i dhunshëm, e ti dedikohej dëshirave të saj deri në ekstremitetin e të thënit

“Unë ekzistoja vetëm nëpërmjet dëshirave të mamasë sime, kurrë nëpërmjet të mijave, të cilat mbetën të paarritshme.”

Në këtë mënyrë përpiqet të shpjegojë edhe maninë e tij për të fabrikuar filozofi

“Duke mos pasur asnjë ekzistencë autentike timen, duke dyshuar vetveten deri në pikën e të besuarit që isha i pandjeshëm, e duke ndjerë që isha i paaftë për të patur një marrëdhenie emocionale me ndokënd, u reduktova në të bërit e vetës të dashur, që të ekzistoja, dhe në të njejtën kohë, kështu, i reduktua  në të praktikuarit e joshjes, artificës dhe mashtrimit për të dashur të tjerët. Përdorja joshjen, makinacionet e artificës, përfundimisht isha mashtrues. Meqënëse nuk ekzistoja, isha një joqenie, një njeri i vdekur që mundej vetëm të donte e të duhej nëpërmjet artificës dhe mashtrimit.”

Është interesante që në një intervistë të vitit 1980, pak përpara thyerjes, Althusser thoshte para kamerës:

“Gjithçka më ka ardhur prej grave, dhe kjo është arsyeja pse unë i atribuoj një rol shumë të rëndësishëm, një rol dominues lëvizjeve të grave.”

Gjithçka këtu i erdhi prej mamasë, u bë katolik prej saj, por ky besim ishte gjithë-gjithë një gënjeshtër të cilën e përdorte përsëri në intervistën e atij viti

“Unë u bëra komunist sepse isha katolik. Unë nuk e kam ndryshuar fenë, kam mbetur thellësisht katolik.

Mbeta një katolik, që do të thotë një universalist internacionalist. Mendova se brenda partisë komuniste kishte mjete më adekuate për të realizuar vëllazërinë universale”

Por sa keq që besimi i tij nuk kishte ekzistuar kurrë. Nga një anë: a ia vlen më të shikojmë në komunizëm tendencën e një të mire supreme të zhvendosur nga përsiatja fetare në etjen për të ndryshuar shoqërinë me themel? Ekzistojnë akoma ata që e lidhin komunizmin me fenë e krishterë, Hitleri në një dialog me Dietrich Eckhart, thoshte që komunizmi e ka zanafillën mbrapa në histori tek krishtërimi. Nuk mendojmë se Krishti mund ta kishte parashikuar komunizmin, ose kryer veprën e themelimit duke përfytyruar një vëllazëri të krishterë.  Nëse dikush një ditë merr një send, e kthen me kokë poshtë e i atribuon po të njejtat cilësi si më parë, sendi në vetvete qan duke vëzhguar shtrëmbërimin e natyrës së tij.

Në vazhdim Althusser tregon se si kënaqte qënien e tij të rremë nëpërmjet mashtrimit intelektual

“Sa i përket esesë, thjesht kisha kopjuar versionin e Guitton-it. Isha bërë kopjac, dredhova dhe i bëra plagjiaturë tekstit të tij. Ishte një akt suprem mashtrimi dhe artifice, për tu dukur mirë para syve të tij.

U habita, ai nuk e kishte vënë re atë çka unë bëra. Mos po donte të më fuste në kurth? Besoja që ai dinte çdo gjë dhe donte ta mbante të fshehtë nga bujaria. Por tridhjetë vjet më vonë, ai prapë foli me admirim për esenë time të shkëlqyer dhe unë i tregova të vërtetën, ai u habit akoma më shumë. Për asnjë moment nuk më kishte dyshuar dhe nuk donte ta besonte.

Guitton, i cili ishte një mësues i admirueshëm, nëse jo një filozof i madh, me siguri më mësoi dy virtyte të vërteta shkencore, të cilat më vonë do të luanin një rol të madh në suksesin tim, së pari që të shkruaja sa më qartë të ishte e mundshme dhe,  së dyti, artin

(artifice si gjithmonë) e  ndërtimit dhe zgjerimit të një argumenti në çdo ese , a priori, koherent dhe bindës.

Rezultati i parë dhe më i rëndësishëm i gjithë kësaj. ishte se ajo më dha mua një qasje krejtësisht, të re për frikën time nga artifica. Fillova ta kuptoja se përdorimi i artificës, mashtrimit dhe praktikave të tjera të tilla nuk ishte thjesht qëllimi për të mashtruar. Ato mund të kenë efekte të dobishme për personin që  di ti përdorë, dhe tek personat e tjerë, për sa kohë sa e dija se çfarë dëshiroja, dhe për sa kohë sa dija të tejkaloja çdo ndjenjë faji.

Prandaj iu vendosa filozofisë dhe i thashë vetes se gjithçka që kisha nevojë ishte aftësia për të shkruar një ese të mirë. Padituria ime nuk do kishte rëndësi dhe unë do e përballoja situatën.”

Këto reflektime i përkasin fillesave të tij, të mëposhtmet i përkasin karrierës si profesor universitar.

“Më duhet të them që si në fjalën e shkruar e si në ligjëratën e folur, dija shumë pak për temat që trajtoja.

Por dija si të “ndërtoja” një ese dhe si ta fshihja injorancën time duke argumentuar a priori çdo subjekt.

Gjithashtu i strukturoja argumentet e mia siç duhet ti bëjë dikush në një ese universitare, duke lënë pezull çdo gjykim teorik, siç ma kishte mësuar Jean Guitton

Sa për kureshtje, kurrë nuk arrita të kuptoj asnjë libër nga Frojdi ose nga komentatorët e tij, pavarësisht gjithë mostrave të mia psikoanalitike dhe eksperiencës personale.

Ai mbetet një libër i mbyllur për mua. Shoqja ime më e ngushtë grua, gjithmonë më thoshte që isha i pashpresë tek teoria e analizës. Kishte plotësisht të drejtë. Në analize, teoria nuk ka rëndësi, por vetëm praktika. (Një parim thelbësisht materialist dhe marksist)”

Ky njeri nga mijëra libra në bibliotekën e tij, pohonte haptas se kishte lexuar vetëm disa qindra. Në këtë farë feje degradohej mjedisi filozofik, por nuk mbaron këtu.

Traumat e fëmijërisë, mungesa e një babai, familja e përçarë, e përndjekin përgjatë gjithë rrugëtimit intelektual

“Disa nga lexuesit dhe miqtë e mi kanë vërejtur në disa ese të mia, në veçanti në librin e vogël mbi Monteskjënë dhe në artikullin tim mbi Freudin dhe Lacanin, një temë shpesh herë të përsëritur: fakti që filozofët më të mëdhenj ishin pa baballarë dhe jetuan jetën e tyre në sferën e vetmuar të teorisë,  dhe në rreziqet që ndërmorrën.

Sa gjatë do të dështojnë të njohin provat verbuese të natyrës së vërtetë të Familjes si një aparat shtetëror ideologjik?

A duhet të theksohet tani se, përveç tre plagëve të mëdha narcisiste të shkaktuara nga njerëzimi (ajo e galileos, ajo e darvinit dhe ajo e të pandërgjegjshmes) ka një të katërt dhe madje më të rëndë.

Që askush nuk dëshiron ta zbulojë, (që nga kohët e lashta familja ka qenë vendi i së shenjtës, i pushtetit dhe i fesë). Është një fakt i pakundërshtueshëm që familja është aparati shtetëror ideologjik më i fuqishëm

Më kishin dhënë emrin e një të vdekuri, thoshte.

Autopsia e epokës Althuseriane, këtu do mbaronte me kaq. Por kjo është gjithashtu autopsia e filozofisë franceze. Në fakt Althusser, flet dhe për kolegët e tij.

“Kurrë nuk mendova si Sartri, që marksizmi mund të ishte filozofia e patejkalueshme e kohëve tona, për një numër të madh arsyesh të cilat do ti shpjegoj nje ditë. Kam menduar gjithmonë se Sartri, edhe pse një mëndje brilante dhe hartuese e novelave filozofike si “L’etre e le neant” dhe “Critique de la raison dialectique”, kurrë nuk kuptoi asgjë nga Hegeli, Marksi, apo Frojdi. E vlerësoj si një nga ata filozofët e historisë post-kartezianë dhe post-hegelianë të cilët Marksi i urrente.

Isha i ndërgjegjshëm sigurisht që Hegeli dhe Marksi kishin hyrë në Francë nëpërmjet Kojenikovit (Kojeve), një emigrant rus që mbante një post të rëndësishëm tek ministria e punëve ekonomike.

Shkova ta takoja një ditë tek zyra e tij që ta ftoja të jeptë nje leksion tek shkolla, punë që e bëri. Një burrë zeshkan e me flokë të zinj, bënte plot komente djallëzore dhe fëminore për teorinë. Lexova gjithë çka shkroi dhe shpejt rashë në përfundimin që ai nuk kuptonte asgjë nga Hegeli dhe Marksi, edhe pse çdokush, përfshirë këtu dhe Lacanin, e kishin ndjekur me interes të madh përpara luftës.

Për të, çdo gjë përqëndrohej tek konflikti mes jetës dhe vdekjes, dhe tek Fundi i Historisë, të cilin ai e përshkruante me përmbajtje të forta burokrate. Edhe pse historia si luftë klasash mund të mbarojë, historia në vetvete do të vazhdojë, por vetëm në formën e administrimit rutinë. (Rroftë Shën Simoni!) Pa dyshim këto vlerësime sillnin bashkë dëshirat e tij si filozof dhe rolin e tij profesional si burokrat i lartë.”

Padyshim që ky libër ishte tronditës. Althusser dalëngadalë u la menjëanë nga klika intelektuale e Francës, nuk është e lehtë ta citosh në një libër. Më së shumti nga hajdutëria e mendimit, dhe do të shpresonim që ndodh vetëm për këtë fakt. Lajthitja e Althusser, objektivisht duhet tia kishte shtuar famën, në mjedisin filozofik francez. Në këtë rrafsh nuk ndryshonte shumë nga ndonjë Bataille, ose nga ndonjë Foucault, ose nga ndonjë dyshe Sartre-De Beauvoir, që herëpashere bëhej “trio”, lexuesit tanë mund ta hetojnë vetë kuptimin e kësaj trioje. Althusser u kryqëzua në publik për shkak se pranoi falsitetin hapur. Vetëm tashmë mund të quhej kriminel nga kolegët e tij. Si përfundim, ata që shkruajnë akoma me dorashka, janë të lutur ti heqin ato, për të mirën e njerëzimit. Të mos lejojmë që vrasja figurative të rrëshkasë në realitet, Althusserë ka plot, bota nuk duhet të mbajë barrën e tyre mbi supe.