Alkimia zakonisht konsiderohet si një nga pseudo-shkencat e antikitetit. Në rastin më të mirë, alkimisë i atribuohet merita e të qenit paraardhësja e kimisë moderne. Në të dyja skenaret këto vlerësime janë të cekëta pasi i përkasin një përspektive të veçantë që niset e gjykon të shkuarën me standarde bashkëkohore. E thënë më qartë, pasaktësitë lindin me vlerësimet moderne të shkencave antike. Ndoshta kjo një përpjekje për të ruajtur linearitetin e historisë ku më pas çdo gjë para kohëve tona cilësohet si një hije e shëmtuar që përparon dalëngadalë nëpër hallkat e një progresi të pandalshëm.
Jemi mësuar ta shikojmë fjalën “alkimi” në parathëniet e librave shkollorë për kiminë e ca më tepër, të referuar në libra historie si një nga bestytnitë e mesjetës. Supozohej që alkimistët mesjetarë ishin ca të rrjedhur që nga padija mundoheshin të zjenin eliksire pavdekësie në kusi të mëdha, ose të krijonin ar nga metalet e rëndomta. Librat e historisë ndalojnë tek periudha e mesjetës ose nga kortezia përmendin që alkimia erdhi nga arabia e me kaq perspektiva mbyllet. Termi “Alkimi” në vetvete vjen nga arabishtja “Al-kimiya”, “kimiya” pastaj vjen nga fjala greke e lashtë “χημία” që shenjon emrin e vjetër të Egjiptit. Khem. Khem pakashum do të thotë “Toka e zezë”, përshkruhej kështu, toka pjellore buzë Nilit pasi ujërat tërhiqeshin. Disa pëlqejnë ti ngjisin fjalës “Khem” konotacione negative prandaj nuk rastet kur alkimia quhet “Arti i zi” ose “Magjia e zezë” nuk janë të rralla. Problemet me kuptimin dhe përdorimin e termit janë vetëm një copëz e mozaikut të koklavitur historik që alkimia na paraqet.
Konsensusi historik tregon se alkimia lindi në Aleksandrinë e helenizuar. Kaq e dimë, pasi Aleksandria asokohe ishte një megalopolis i stërmadh ku përplaseshin kultura dhe pikëpamje të ndryshme. Mund të krahasohet me Nju Jorkun e sotëm për nga përmasat dhe diversiteti i popullatave banuese. Veçse në Aleksandri përpunoheshin kombinime doktrinash mistike dhe filozofike, jo ambiciet e sipërmarrësve të rinj e ingranazhet e biznesit si në Nju Jork.
Zgjedh ti gjurmoj fillesat e alkimisë tek Zosimi i Panopolit për disa arsye. Zosimi, edhe pse jo i Aleksandrisë, mblodhi tekste ezoterike pafund nga shumë autorë paraardhës, dhe fakti i pranuar historik që Moisiu i Aleksandrisë, të ketë qenë alkimisti i parë, vjen nga pena e Zosimit.
Zosimi i Panopolit ose siç quhej në latinisht, Zosimus Alchemista, jetoi aty afër fundshekullit të tretë të erës sonë e deri në gjysmëkshekullin e katërt. Shkroi një trajtesë voluminoze të quajtur Cheirokmeta që mbahet si teksti i parë i plotë përfaqësues i alkimisë edhe pse deri në ditët tona disa pjesë të këtij teksti kanë humbur në kohë.
Shumë personazhe përplasen tek Cheirokmeta, vetë Zosimi nuk tregohet i qartë se kush qe alkimisti i parë. I referohet zanafillës gjithmonë me togfjalëshin “të urtët, mjeshtrat e alkimisë”. Mund të aludohet se Moisiu i Aleksandrisë nuk ishte i vetmi pasi përmendet edhe Maria Hebreje. Moisiu i Aleksandrisë dhe Maria Hebreje sipas komentarit të Zosimit, kanë jetuar në një plan kohor të afërt, Moisiu në shekullin e parë ose të dytë, Maria në shekullin e dytë ose të tretë. Megjithatë shkruhet qartë se Maria Hebreje shpiku disa aparate alkimike me rëndësi të madhe, kurse Moisiu shkroi receta. Marinë Hebreje, arabët e quanin “Vajza e Platonit”, referencë simbolike për sulfurin e bardhë. Vetë Zosimi tregohet i paqartë në vlerësimet e tij për Moisiun e Aleksandrisë. Nga njëra anë mundohet ta njehsojë me Moisiun biblik e nga ana tjetër thotë se ka qenë thjesht një hebre i ndritur edhe i njohur me pseudonimin “Moisiu trefish-i-lumtur”. Pseudonim i krahasueshëm me figurën qëndrore të Hermetizmit, Hermes Trismegistus ose Trefish-i-Madh. Arsyeja pse Zosimi krijoi tërë këtë rrëmujë lidhur me rëndësinë e Moisiut është përkatësia e tij fetare. Zosimi ishte gnostik, e gnosticizmi është një herezi e vjetër e krishterë, e shpërndarë në shumë sekte dhe organizata, që nga fillesat e krishtërimit e deri më tani.
Pavarësisht konsideratave të Zosimit mbi lashtësinë e alkimisë, apo edhe të hermetizmit, një këqyrje e thjeshtë e doktrinës hermetike dhe disiplinës alkimike mjafton për të zbuluar së hermetizmi kufizohet rreth disa linjave të vonshme filozofike duke filluar nga shekulli i parë i erës sone. Corpus Hermeticum, u shkrua rreth shekujve të tretë e të shtatë. Kurse alkimia qëndron krahas hermetizmit, jo si doktrinë mistike (teurgjike) apo filozofike, por si disiplinë praktike, e gjendur mes përplasjes hermetiko-gnostike, ku merr ngjyrime herë të njërës anë,herë të tjetrës sipas rrethanave historike dhe subjektive. Në fazën e parë të alkimisë, ngjyrimi ishte gnostik, Zosimi e përshkruante procesin shpirt-ndërtues të alkimisë sipas kozmogonisë gnostike. Në të njejtën kohë deklaronte se alkimia më e lashtë e më e vërtetë ishte ajo Hermetike.
Ngatërresat sa vijnë e shtohen. Megjithatë, në kohën e Zosimit alkimia nuk ishte një metodë fikse. Ai thotë që ekzistonin tre metoda mbizotëruese në kohën e tij. E para ishte alkimia simbolike që mohonte praktikën aktuale laboratorike të shndërrimit të metaleve. Kjo lloj alkimie e konsideronte gjuhën e metaleve si krejtësisht metaforike. Lloji i dytë i praktikës alkimike kryente eksperimente me metalet, por ia bashkangjiste konkluzionet fizike, atyre shpirtërore. Pra eksperimenti laboratorik në këtë rast ishte vetëm dukja e praktikës shpirtërore, ose si të themi, ngacmimi ose pastrimi i vetë metaleve kishte rëndësi dytësore. Në rastin e tretë “alkimistët”, pasi këta të fundit Zosimi nuk i konsideronte hiç të tillë, kryenin eksperimente me metalet vetëm për hir të rrjedhojave lëndore dhe jo shpirtërore. Kështu, lloji i tretë quhej sharlatanizëm nga alkimistët.
Mund të themi se alkimistët shpirtërorë e dinin fare mirë që nga zhiva (mërkuri) nuk nxirret ar i njëmendtë. Në dallimet mes metodave gjejmë edhe ngjyresat përkatëse. Alkimia simbolike i përket Hermetizmit, Alkimia simboliko-praktike i përket gnosticizmit kurse lloji i fundit nuk duhet marrë fare parasysh. Marrëdhënia e hermetizmit me gnosticizmin do të studiohet më në thellësi diku tjetër, këto doktrina ishin të ngjashme me njëra-tjetrën por jo të njejta. Mund të përmendim se Demiurgu në gnosticizëm është i lig, kurse në hermetizëm e kundërta vlen. Përsa i përket kuptimit themelor të metodës alkimike,Zosimi shpjegon se nëpërmjet alkimisë, individi ndërton shpirtin e tij. Shpirti, nuk është një e dhënë, por vetëm pas një procesi te gjatë, pas një gnose, nxirret në pah. Burgu i shpirtit është lënda, këtu, një pikëpamje thellësisht gnostike por edhe hermetike, pra shpirti ndodhet i burgosur në botë, dhe alkimia synon që nëpërmjet pastrimit të metaleve, të çlirojë shpirtin.
Versioni gnostik i alkimisë na paralajmëron se ekzistojnë rreziqe të mëdha të përdorjes së lëndës për të pastruar shpirtin. Dikush mund të bjerë në mëkat duke harruar thelbin pagëzues të shpirtit dhe duke u kredhur në cilësitë sipërfaqësore të lëndës. Zosimi më tej thotë që edhe versioni hermetik është i gabuar pasi korrespondencat astrologjike të simbolizmit të paprekur nga proceset e lëndës, u shërbejnë daimonëve, të cilët nga ana e tyre janë shërbëtorët e arkonëve, sunduesve të botës materiale, të cilët vendosin për Fatin e individit dhe nga ana e tyre u shërbejnë perëndisë së rreme, Demiurgut.
Sigurisht që edhe vetë Zosimi zhytej në sinkretizma qesharakë. Nuk do mund të zbërthenim dallimin mes alkimisë gnostike dhe asaj hermetike duke iu referuar vetëm komentareve të Zosimit, pasi ai paturpësisht supozon se Hermes Trismegistus u dërgua nga një prift i lartë i Jeruzalemit për të përkthyer shkrimet e shenjta në gjuhën egjiptiane dhe në greqisht.
Le të rikthehemi për pak tek cilësimi i alkimisë si “pseudo-shkencë” apo “proto-shkencë”
Deri tani thamë që alkimia merrej parësisht me dimensionin shpirtëror të procesit prandaj nuk mund të konsiderohet si “pseudo-shkencë” në kontekstin modern. Vlerësimi i alkimisë si “proto-shkencë” hidhet poshtë nga metafizikani francez Rene Guenon. Ky i fundit shpjegon në një ese të quajtur “Shkencat e shenjta dhe profane”, se alkimia nuk mund të konsiderohet si paraardhëse e kimisë pasi vetë alkimistët i nënçmonin praktikantët joshpirtërorë duke i quajtur “qymyrdjegës të pashpresë”. Pra, parimet e kimisë moderne vetëm aksidentalisht mund të asociohen me metodën para-moderne alkimike. Kimia moderne e mohon karakterin e shenjtë të shkencës alkimike dhe e zëvëndëson me implikimet e veta profane. Kimia e sotme lindi nga degradimi i një shkence të shenjtë. Robert Boyle, babai i kimisë moderne nxorri në pah mospërputhjet e praktikës lëndore të alkimisë, dhe kishte të drejtë, veçse harroi se alkimia nuk duhej interpretuar si përnjëmend shndërrimi i metaleve në ar.