A na duhet më gjeopolitika?

Gjeopolitika si shkencë e mirëfilltë filloi të zhvillohej rreth viteve 1900. Asokohe përgatitej panorama e re botërore e së ardhmes, e me gjithë skepticizmin politik dhe konkurrencat e fshehta mes aktorëve kryesorë të botës, lindi nevoja për një metodë gjithëpërfshirëse ku në veçanti do të analizohej pushteti politik i lidhur pashmangshmërisht me pozicionin gjeografik dhe karakteristikat që ky pozicion nënkuptonte. Rudolf Kjellen, specialisti suedez i shkencave politike ishte i pari që e përdori këtë term.

Kurse themeluesi i metodës gjeopolitikës është Halford Mackinder. Mackinder në vitin 1904 i prezantoi Shoqërisë Mbretërore Gjeografike tezën e quajtur “Boshti Gjeografik i Historisë” ku paraqitej Teoria e Tokëzemrës.

Ç’është gjeopolitika? Përkufizimi zyrtar është i mëposhtmi:

“Gjeopolitika është një metodë e studimit të politikës së jashtme për të kuptuar, shpjeguar dhe parashikuar sjelljet politike ndërkombëtare nëpërmjet ndryshoreve gjeografike. Këto përfshijnë studimet e zonave, klimën, topografinë, demografinë, burimet natyrore dhe shkencën e aplikuar të rajonit që vlerësohet”

Por, përkufizimet variojnë nga autori në autor. Disa e përqëndrojnë kuptimin e termit rreth teorive përkatëse të përpiluara subjektivisht. Gjithë-gjithë, përkufizimi i mësipërm është paksa si shumë neutral dhe i thatë. Propozojmë një tjetër. Gjeopolitika është ajo metodë studimore që merret me shpërndarjen e pushtetit në botë.

Natyrisht që metoda gjeopolitike u bazua më së pari tek sistemi Vestfalian i organizimit të botës. Ky sistem i krijuar pas rezultateve tragjike të luftës tridhjetëvjeçare, e organizonte hartën botërorë sipas shteteve territoriale sovrane. Veçse parimi i mosndërhyrjes dhe i mos kërcënimit të ekzistencës së tjetrit, dalëngadadalë u fshi qetësisht nga ky dokument, duke u zëvëndësuar nga parimi i Hapësirave të Mëdha dominuese dhe i vetmi element mbijetues i Paqes Vestfaliane ishte ai i shteteve moderne.

Shkencat politike sot përpiqen ta nënçmojnë rëndësinë e gjeopolitikës duke u nisur nga dy aksioma.

Aksioma e parë kërkon të provojë se gjeopolitika është pseudo-shkencë që i vihet në shërbim politikanëve të etur për pushtet. Kjo është pjesërisht e vërtetë dhe fakti mbështetës është jehona famëkeqe e teorisë organike të gjeopolitikës, e hartuar nga shkolla gjermane, pjesëtarë të së cilës ishin gjenerali Karl Haushofer dhe gjeografi Friedrich Ratzel. Teoritë e këtyre të dyve i shërbyen ambicieve te Hitlerit për pushtimin e botës. Ratzel krijoi termin “Lebensraum” i cili në fillim u përdor nga Perandoria Gjermane në luftën e parë botërore, e më vonë nga Hitleri për të justifikuar politikën e genocidit ndaj rusëve për tu ofruar “hapësira banimi” popullatës gjermane në rritje e sipër. Haushofer ishte këshilltar i Hitlerit dhe ndihmesë e madhe për të krijuar disa koncepte që u bënë buka dhe gjalpi i politikës ekspansioniste naziste. Gjithsesi, do ishte mangësi në arsyetim nëse do ta vlerësonim gjithë punën e këtyre dy gjeopolitikanëve në bazë të përkatësive politike në tërësi, e sidomos të Ratzel, i cili vetëm aksidentalisht përfundoi në prehrin e Hitlerit. Duhet kundërshtuar fort, ti japësh rëndësi termit  “Lebensraum”, por edhe nuk duhet përjashtuar mundësia e të mësuarit nga e shkuara për hir të së tashmes e së ardhmes. Të mësojmë nga postulati gjerman:

“Weltmacht oder Niedergang!” (Ja Fuqi Botërore, ja disfatë!)

Nuk është aq i vjetëruar si koncept, vetëm i është përshtatur kohës.  Mund ti gjejmë homologët e tij shumë thjesht tek Manifest Destiny amerikan apo tek etja e Rusisë për të qenë Roma e Tretë. Këtë problem kaq të koklavitur të Romës së Tretë do e trajtojmë më me imtësi diku tjetër.

Të mësojmë gjithashtu nga koncepti i Friedrich Ratzel, Panrajoni. Me panrajon kuptojmë blloqe transkontinentale të dominuara nga një shtet i madh e i fortë. Autarkia si vetëmjaftueshmëri e plotë ekonomike na hyn në punë për të kuptuar më mirë se çu bë me vendin tonë pasi u prishëm me Kinën, apo se ç’bëhej deri tani me Korenë e Veriut, edhe pse vetëmjaftueshmëria në këtë rast është vetëm e pjesshme, Koreja ka partneritete tregtare me Kinën, Rusinë, e disa vende të tjera, edhe ky është fakt gjeopolitik fundja.

Aksioma e dytë vjen nga një fjalim i Tony Blair në vitin 1999. Fjalimi mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Blair u zotua të krijonte një botë post-vestfaliane, një doktrinë të re ku integrimi ndërkombëtar do të ishte kryefjala e rendit të ri. Në plan të parë e çka keqkuptohet rëndom, është se Blair deklaroi se sovraniteti Vestfalian kishte mbaruar. Në të njejtën kohë shpallej një sovranitet i ri, një sovranitet i dëshirueshëm por jo i aplikueshëm thjesht e pa probleme. Është po ky sovranitet që sfidon rendin global me një doktrinë të re lufte dhe marrëdhëniesh ndërshtetërore. Mund ta quajmë Vestfalia 2.0 pasi po të njejtët aktorë pak a shumë përballen me njëri-tjetrin për dominim.

Është po ashtu e çuditshme sesi vendjet e lindjes mundohen të mbrojnë me fanatizëm modelin e vjetër Vestfalian, por vetëm pjesërisht. Rusia predikon për mosndërhyrje ushtarake vetëm për të zgjeruar linjat e saj të influencës. Këto tendenca nuk mund të injorohen. Skenari post-Vestfalian u mbrujt në frontet e luftës së ftohtë. Lufta e ftohtë kishte karakter gjeopolitik të theksuar. Dy fuqi në kundërshti me njëra-tjetrën, e një botë e ndërmjetme gati për tu bërë therore e njërës apo tjetrës anë. Në ato kohë teoria e tokëzemrës ra poshtë për tu zëvëndësuar nga rimlandi  i Nicholas Spykman. Nëse Mackinder e konsideronte Tokëzemrën si sunduese të botës, Spykman thoshte që gjysmëunaza rreth Tokëzemrës ishte çelësi i këtij sundimi. Për pasojë të gjitha konfliktet e rëndësishme të Luftës së Ftohtë, ndodhën në brëndësi të gjysmëunazës. Postulati i famshëm i Mackinder:

“Kush sundon Europën Lindore, komandon tokëzemrën

Kush sundon tokëzemrën, komandon ishullin e botës 

Kush sundon ishullin e botës kontrollon botën”

u  zëvëndësua nga vlerësimet e Spykman

“Kush kontrollon  gjysmëunazën, sundon Eurazinë

Kush sundon Eurazinë, ka në dorë fatet e botës”

Duke u rikthyer tek Tony Blair, deklarata e tij ishte e parakohshme. Gjithashtu përbënte një dëshirë gjeopolitike krejt të veçantë. Lufta e ftohtë ngriu. Lufta e ngrirë vazhdon të jetë e pranishme.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve si të jesh një Hapësirë e Madhe e si të përkufizohesh si një shtet i vogël periferik, gjeopolitika i rreshton gurët e shahut mbi po këtë hartë Vestfaliane, por me një ndryshim. Panrajonet nuk thërrasin me sa kanë në kokë “Weltmacht oder Niedergang!” Përkundrazi, kjo thirrmë menaxhon përcaktueshmëritë prapa dyerve të mbyllura. Ndërkaq, kombet e vogla përpiqen të mbijetojnë. Pra, pyetjes “a na duhet më gjeopolitika”, i përgjigjemi: Sot më shumë se kurrë.