Ernst Junger – Luftëtar

Eksperienca e Junger me të rrezikshmen filloi me urinë e tij të hershme për aventurë. Që në vegjëli, i shtyrë nga një nevojë për shkëputje nga jeta moderne urbane, ai iu bashkua një grupi të lëvizjes Wandervogel, çeta të vogla rinore që synonin të jetonin më afër natyrës e të shijonin kënaqësitë e saj. Më vonë ai u arratis nga shtëpia për t’u bërë pjesë e Legjionit të Huaj Francez.  Kjo ngjarje nuk shkoi pa u vënë re nga autoritetet gjermane, dhe shumë shpejt, djali tetëmbëdhjetë vjeçar e gjeti veten  në një pozitë jo të mirë. Mosha e pengonte të ishte pjesë e Legjionit. U desh ndërhyrja e babait të tij që Junger t’i shpëtonte ligjit. Si përfundim, pas këtyre peripecive, ai doli vullnetar për të shërbyer në regjimentin e 73-të të këmbësorisë Albert von Preussen. Viti 1914.

Në vitet në vazhdim, ai nuk do të ishte një ushtar i thjeshtë, dhe as një burrë i thjeshtë.

Në fakt, Junger është një nga shkrimtarët më të diskutuar të shekullit të njëzet. Një njeri i veprimit e i guximit, filozof,  entomolog për nga profesioni dhe dëshmitar i tërmeteve më të mëdha të shekullit. Pavarësisht të gjithave ai ruajti  qetësinë, madje edhe në momentet më të këqija.

Në Luftën e Parë Botërore, ushtarët shpesh shkruanin ditare ku përshkruanin ndodhitë. Në fund të fundit, askush nuk e dinte se kur do t’i vinte ora. Teksa shkrimtarë të tjerë i kanë dhënë lexuesit një portretizim të shkëputur nga tmerret e luftës, Im Stahlgewitten, ditari kryevepër i Junger, u shkrua nga dora e një ushtari përjetimet e të cilit ishin të vërteta. Nga fillimi deri në fund ai i ofron lexuesit me ndershmëri, mendimet e njerëzve që mbanin barrën e detyrës mbi shpinë.

Me naivitetin e një djaloshi, ditari fillon me këto fjalë.

“Vinim nga sallat e leksioneve, tavolinat e shkollës dhe tryezat e punës në fabrikë, dhe gjatë javëve të shkurtra të trajnimit, kishim lidhur miqësi si një grup i madh dhe entuziast. Të rritur në një epokë sigurie, ndanim një dëshirë të zjarrtë për rrezikun, për përvojën e jashtëzakonshme. Ne u zhytëm në luftë. U larguam mes shirash lulesh, në një atmosferë të dehur të gjakut dhe trëndafilave. Me siguri lufta duhej të na furnizonte me atë që donim; madhështorja, përvoja e shenjtëruar. E cilësuam burrëror, si veprim, një festë e lumtur duelesh në livadhe të lulëzuara me gjak. “Ska vdekje më të mirë sesa …” Çdo gjë për të marrë pjesë, vetëm të mos rrimë në shtëpi!”

Pak e dinte se Lufta e Madhe nuk kishte vend për heroizëm kavaleresk. Dhe me të vërtetë, luftëtari  i individualizuar, pasues i një rregulle të nderuar dhe ndjekës i një arti fisnik, kishte vdekur me shpatën dhe topin e shekullit të 18-të. Ndërsa zhvillohej, lufta e re e skllavëroi luftëtarin dhe e ktheu atë në mish për top. Masiviteti i konfliktit kërkonte  që luftëtari të zhdukej  dhe të shndërrohej në turmë bagëtish gati për t’u therur. Efiçenca e prodhimit të vdekjes gjatë luftës së parë botërore e ktheu fushëbetejën në një zonë të shansit, të instinktit dhe të asnjë ligji tjetër përveç atij të konfliktit të vazhdueshëm pafund. Junger vëzhgonte dhe kuptonte, kjo panoramë e re ishte e pa-kohë, gjithçka qëndronte pezull.

“E hodha tutje çantën time dhe vrapova drejt llogores nga isha nisur. Nga të gjitha anët burra të plagosur linin gjurmë gjaku nga pyjet e bombarduara. Llogorja ishte e tmerrshme, e mbytur në njerëz të plagosur rëndë e të vdekur. Një figurë e zhveshur deri në bel me shpinë të shqyer përkulej kah barrierës. Një tjetër me çarje trekëndore pas kafkës, lëshonte ulërima të shkurtra e të përsëritura. Kjo ishte shtëpia e perëndisë së madhe, Dhimbjes, dhe për herë të parë unë pashë përmes atij honi djallëzor nëpër thellësitë e kësaj mbretërie. Predha të freskëta binin gjithë kohën.”

“Materiel” e quante ai kombinimin e lëndës jonjerëzore me atë njerëzore, qymyr për zjarr. Intensiteti i bombardimeve, vdekja nga lart, e pakontrolluar dhe e papenguar. Uturima  e teknologjisë, teksa ajo depërtonte nëpër trupa njerëzish.

Megjithatë ai e konsideronte peisazhin e përgjakshëm si mjet transfigurues. Përshfaqja e një parimi mbinjerëzor  në trazirën supreme të  llogores dhe në ajrin e mbushur me barut. Në të vërtetë, luftëtari tashme ishte  një ushtar i frontit (Frontsoldat) dhe personi i tij nuk kishte rëndësi, por vëllazëria  e luftës ishte e sinqertë. Në luftë, vetëm rangu përcaktonte  vlerën e një njeriu dhe vetëm veprat në fushën e betejës, medaljet e tij. I parë kështu, ushtari ishte gjithmonë një Ushtar i Panjohur, pjesë e një njësie, i një heroizmi impersonal, objekt pasiv i detyrës dhe epokës së tij. Si i tillë, pritej që ushtari të pranonte fatin e tij dhe të bartej nga valët.

Në mesin e peisazheve të zhuritura me gjak të këtij ditari,  ekzistonin disa momente paqeje, për Junger këto momente i përkisnin rikuperimeve të përkohshme nga plagët e marra.

Momentet e ngushëllimit shoqëroheshin rrallë me ngjarje thuajse joreale, siç, kur ai e gjen veten në pozita të pazakonta për një fushëbetejë.

“Në dimër, kur batalioni ynë kishte bujtur tek Mbreti i Kuantit (nofkë për një oficer gjerman) , unë si oficer i ri , isha thirrur për të inspektuar rojën për herë të parë. Në buzë të qytetit, menjëherë humba rrugën , dhe, duke dashur të kërkoja udhëzime për postin e rojës tek stacioni, eca drejt një vile të vogël të vetme. Atje gjeta të vetme, një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare të quajtur Zhanë, kurse  babai i saj kishte vdekur kohët e fundit. Teksa më udhëzonte, qeshte, dhe kur e pyeta se çfarë kishte aq shumë për të qeshur, ajo mu përgjigj: Je shumë i ri, do të doja të kisha të ardhmen tënde.’  – Për shkak të çiltërsisë së vërejtjes së saj, e kisha quajtur Zhanë D’Ark , dhe në luftimet e mëvonshmë në llogore, kisha menduar herë pas here për atë shtëpi të vogël të izoluar.”

Helmeta e çeliktë e Junger (Stahlhelm), i shpëtoi vdekjes vetëm me disa milimetra të papërshkuara nga plumbi i një pushke.

Ai u plagos shtatë herë në luftë dhe u dekorua tri herë, e fundit prej të cilave ishte medalja “Pour le Merite”.

Ai ishte vetëm njëzet e dy vjeç kur e mori nga Kaiseri, dhe me rangun e një lejtnanti. “Pour le Merite” nuk është një medalje e thjeshtë, ajo jepej vetëm në raste të veçanta për arritje personale të jashtëzakonshme.


Megjithatë, tek libri “Stuhia e Çeliktë” ekzistojnë disa koncepte të dallueshme që e veçojnë në  krahasim me veprat e tjera letrare të luftës.

Epoka e titanëve

Para së gjithash, vëzhgimet e Junger-it parashikonin ardhjen e një epoke të re që nuk do të ishte thjesht e karakterizuar nga përparimi teknologjik, por nga shtypja e njeriut. Lufta ishte vetëm një simptomë e ndryshimit paradigmatik. Tashmë u bë e qartë se shekulli i ri i përkiste Titanëve. Përpjekja  titanike shoqërohet nga një ç’shenjtërim i simboleve që në radhë të parë sjellin një modus vivendi të ri të paqëndrueshëm, por krijues. Titanikja tek njeriu, e kundërvënë ndaj heroikes, e përkufizon botën moderne si një plan veprimi të ç’magjepsur. Dikur fati përcaktonte veprimin njerëzor që konsiderohej relativ ndaj një plani absolut. Ky plan absolut e mundësonte njeriun të merrte pjesë në një rend më të lartë se vetja, të kapërcente veten.  Titanikja mbikëqyr një rend pa Zota , por gjithsesi të rregullt pasi që ende kundërshton kaosin primordial. Në të njëjtën kohë, Titanët  janë më afër Kaosit sesa Perënditë, rrjedhimisht kaotikja manifestohet në mënyrë sporadike.

Njeriu Titanik kërkon të përmbushë vetveten nëpërmjet lirisë së pakontrolluar dhe një potenciali për krijim që e errëson atë të Zotave. Lufta e Junger kishte përmasa titanike , por gjithashtu përmbante kapacitete përtej kësaj. Siç thoshte “Ne besonim se ishim më të fortë se materiel“.

Brezi i humbur dhe brezi i llogores

Krahas Junger, shkrimtarë të tjerë u përpoqën të japin vizionin e tyre për luftën. Njëri prej tyre ishte i famshmi Erich Maria Remarque. Remarque e dënoi luftën si të paarsyeshme dhe katastrofike. Pa mohuar irracionalitetin dhe të ligën e luftës, ka vend për dyshime në lidhje me aftësinë e Remarque për të gjykuar luftën, meqë ai as nuk mori pjesë në mënyrë aktive në të. Ai u rekrutua në ushtri dhe ndenji vetëm 49 ditë në llogore derisa u plagos nga një granatë dhe u dërgua në spital. Në pjesën e mbetur të luftës, Remarque e kaloi gjithë kohën në Gjermani. Gjuha emocionale e romaneve që pasuan këtë eksperiencë të shkurtër me luftën e parë botërore, goditi zemrat e publikut, por në të njëjtën kohë nuk arriti të prekte kokat. Për pasojë perspektiva e Junger injorohet. Në këtë kuptim, periudha e pas luftës i dha jetë shkrimtarëve të brezit të humbur të cilit i përkiste Remarku dhe disa autorë të tjerë përfshirë dhe Henri Barbusse. Në vend të një dëshmie të ftohtë të luftës, këta autorë u treguan të cekët dhe kontribuan vetëm me vlerësime sipërfaqësore. Ky lloj i ri kundër-kulture ishte falas dhe i vlefshëm vetëm për pikë sociale. Nga ana tjetër, brezi i llogores, krijoi një shekull të ri.